Të paktën dhjetë persona janë vrarë dhe 25 të tjerë janë plagosur, pas shpërthimit të një makine-bombë, në qytetin kufitar sirian, që muajin e kaluar u mor nën kontroll nga forcat që mbështeten nga Turqia.

Shpërthimi ndodhi në një prej rrugëve kryesore të qytetit Tel Abyad.

Tel Abyad është një prej dy qyteteve kufitare, ku ka pasur luftime të ashpëra që prej se Ankaraja nisi ofensivën më 9 tetor, e që kishte për cak forcat kurde që gjendeshin në verilindje të Sirisë.

Ankaraja thotë se kurdët në Siri, që i përkasin Njësiteve për Mbrojtjen e Popullit (YPG) kanë lidhje me militantët kurdë në Turqi të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) që i konsideron organizatë terroriste.

Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut, organizatë me bazë në Londër, tha se katër civilë nga e njëjta familje janë në mesin e viktimave nga ky shpërthim, për të cilin, një Këshill lokal fajësoi YPG-në dhe PKK-në, raporton Reuters.

Ministria e Mbrojtjes së Turqisë po ashtu fajësoi YPG-në për këtë shpërthim, ku tha se janë vrarë tre persona dhe janë plagosur 20 të tjerë, ndërkaq, një zëdhënës i Forcave Demokratike Siriane (SDF) që udhëhiqen nga kurdët, fajësoi “mercenarët e mbështetur nga Turqia” për këtë shpërthim.

Shpërthime të ngjashme edhe në të kaluarën kanë ndodhur në zonat e populluara me civilë në qytetet kufitare me Turqinë, të cilat tashmë janë nën kontrollin e forcave që mbështeten nga Ankaraja. /REL