Të paktën 22 persona janë vrarë dhe 59 të tjerë janë plagosur nga një shpërthim jashtë një sallë koncertesh në Mançester, kanë thënë autoritet britanike, duke thënë se janë duke e trajtuar këtë rast si “incident terrorist”.

Policia britanike beson se sulmuesi në Mançester ka bartur një pajisje të cilën e ka detonuar. Policia thotë se beson se sulmuesi ka vdekur në vendngjarje.

Shpërthimi ka ndodhur në orët e vona të së hënës, vetëm pak kohë pas koncertit të këngëtares amerikane, Ariana Grande.

Kryeministrja e Britanisë së Madhe, Theresa May ka thënë se autoritetet janë duke punuar për të kuptuar detajet e kësaj ngjarjeje.

“Ne jemi duke punuar për të kuptuar të gjitha detajet e asaj që nga policia po trajtohet si një sulm i tmerrshëm terrorist”, ka thënë May përmes një deklarate për media.

Shërbimi i Emergjencës i Veri Perëndimit në Britani ka thënë se ka dërguar në spital 59 viktima të shpërthimit.

Dëshmitarët kanë thënë se kanë dëgjuar një “shpërthim të fuqishëm” rreth orës 21:45 të së hënës, teksa njerëzit ishin duke u larguar nga “Manchester Arena”, ku këngëtarja Ariana Grande kishte mbajtur koncert.

Shërbimet në stacionin e trenit Manchester Victoria, që gjendet përfundi arenës, janë anuluar kanë thënë zyrtarët.

Nëse konfirmohet se ky është sulm terrorist, atëherë do të ishte sulmi më vdekjeprurës në Britani, që prej se katër myslimanë nga Britania, përmes sulmeve vetëvrasëse me bomba vranë 52 persona në sistemin e transportit të Londrës më 2005.

Britania është në mesin e fushatës për zgjedhje të përgjithshme që do të mbahen më 8 qershor.

Pas shpërthimit, partitë politike në Britani kanë pezulluar fushatat zgjedhore.

Jeremy Corbyn, lider i partisë Laburiste, ka thënë se ai ka biseduar me kryeministren Theresa May dhe është pajtuar se të gjitha fushatat zgjedhore të pezullohen.

“Jam i tmerruar nga këto ngjarja e tmerrshme në Mançester”, ka thënë Corbyn.

May më herët ka paralamëruar se edhe ajo ka pezulluar fushatën e Partisë Konservatore. Ajo sot do të takohet me ekipin e emergjencave të qeverisë, në përgjigje ndaj sulmit.

Manchester Arena, që është hapur më 1995, është arena më e madhe e mbyllur në Evropë dhe ka kapacitet për 21 mijë persona./REL