Të paktën 18 persona kanë humbur jetën nga tërmeti me magnitudë 6.8 të shkallës Rihter që goditi të premten në mbrëmje Turqinë. Numri i viktimave është paraprak. Ndërsa sa i përket të lënduarve, ata janë me qindra.

Lëkundjet e forta që u ndjenë në orën 20:55, me orën lokale, shkatërruan qindra ndërtesa. Edhe numri i tyre i saktë nuk dihet ende.

Tërmeti e kishte epiqendrën në provincën lindore të Elazig, rreth 550 km në lindje të Ankarasë. Lëkundjet u ndjenë nëpër disa zona të Turqisë, por edhe në shtetet fqinje si Siri, Liban e Iran.

13 persona mbetën të vrarë në Elazig ndërsa 5 të tjerë në provincën fqinje të Malatya, tha Ministri i Shëndetësisë, Fahrettin Koca, pasi shkoi në këtë rajon, sëbashku me ministra të tjerë.

Ndërsa Ministri i Brendshëm, Suleyman Soylu, deklaroi se punonjësit e emergjencës po kërkonin nën rrënoja për të paktën 30 persona dhe se të plagosur ishin me shumë se 500 persona.

Tërmeti kishte një thellësi prej 10 kilometrash. Ai u pasua nga dhjetëra lëkundje të tjera me magnitudë më të ulët.

/tvklan.al