LAJM NE PERDITESIM | Të paktën 60 viktima janë shënuar nga shpërthimi jashtë aeroportit të Kabulit në Afganistan. Midis viktimave ndodhen gra, fëmijë dhe disa roje talibane.

Nga shpërthimi janë raportuar të paktën 140 të plagosur. Të lënduarit janë dërguar menjëherë në spitalin lokal, ndërkohë të tjerë janë larguar me karroca dore nga vendngjarja, disa prej tyre me plagë të mbështjella rreth tyre me fasho të sajuara nga veshjet.

Shpërthimi jashtë aeroportit është pasuar nga një shpërthim i dytë jashtë hotelit Baron, i cili përdorej nga Britania për të kontrolluar nëse britanikët dhe afganët ishin në rregull me dokumentacionin e evakuimit. Nga ky shpërthim ka mjaft të lënduar, por ende nuk ka shifra të sakta.

Në aeroport kanë mbetur trupa britanike, amerikane dhe trupa të tjera ndërkombëtare që po punojnë për të shpëtuar sa më shumë jetë të jetë e mundur.

Pavarësisht sulmeve Pentagoni konfirmoi se misionet e evakuimit do të vazhdojnë. SHBA tha se janë rreth 1 mijë shtetas amerikanë që besohet se ndodhen ende në Afganistan.

Shteti Islamik merr përsipër sulmet në Kabul

Shteti Islamik ka marrë përsipër përgjegjësinë për sulmet në aeroportin e Kabulit. Sipas asaj që shkruan BBC, deklarata u bë nëpërmjet një mesazhi të postuar në kanalin e lajmeve të grupit terrorist, Telegram.

Grupi tha se një person kishte hedhur veten në erë mes afganëve dhe trupave amerikane.

Edhe zyrtarët e Mbrojtjes amerikane thanë se besonin që pas sulmeve vdekjeprurëse qëndronin militantë të të ashtuquajturit Shteti Islamik.

Xhaçka dënon sulmet terroriste në Afganistan

Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka ka shprehur solidaritetin e saj për ngjarjen e shpërthimeve të sotme në Kabul. Ajo i mëshoi ruajtjes së sigurisë dhe mbrojtjes së jetëve të aleatëve afganë.

E kundërshtoj fort sulmin e llahtarshëm terrorist në aeroportin e Kabulit. Zemrat dhe lutjet tona janë me të gjithë ata që kanë humbur të dashurit e tyre. Ne vazhdojmë t’i qëndrojmë garantimit të jetës dhe sigurisë së të gjithë aleatëve tanë afganë”, shkroi ministrja në Twitter.

Britania konfirmon vazhdimin e evakuimeve nga Kabuli

Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë me opeacionin e evakuimeve nga Kabuli pavarësisht sulmit të ndodhur ditën e sotme në aeroportin e tij. Ka qenë vetë Kryeministri Boris Johnson që ka konfirmuar se evakuimet nuk do të ndërpriten.

Mund të konfirmoj se është një sulm terrorist barbar, që duket si një seri sulmesh, në aeroportin e Kabulit, në turmat e aeroportit, në të cilat anëtarë të ushtrisë amerikane kanë humbur jetën dhe po ashtu edhe shumë qytetarë afganë. Mendoj se këto sulme janë të përçmueshme, por kam frikë se është diçka për të cilën na është dashur të përgatitemi. Kjo nuk do ta ndërpresë progresin tonë, do të vazhdojmë me evakuimin”.

Sipas Kryeministrit britanik, qeveria e tij ka tërhequr pjesën më të madhe të njerëzve që ishin të përshtatshëm për t’u larguar nga Afganistani për në Mbretërinë e Bashkuar.

Talibanët: Sulmi ndodhi në një zonë të kontrolluar nga SHBA

Një zëdhënës i talibanëve i ka kundërshtuar dy sulmet e ndodhura ditën e sotme në Kabul pasi zona ku kanë ndodhur ishte nën kontrollin e ushtrisë amerikane.

Me anë të një postimi në Twitter, Zabihullah Mujahid tha “Emirati Islamik i kundërshton fort bombardimet që shënjestruan qytetarët në aeroportin e Kabulit”.

Ai shtoi se “shpërthimet ndodhën në një zonë ku forcat amerikane janë përgjegjëse për sigurinë”.

Një tjetër zëdhënës tha se grupi “po i kushtonte vëmendje të madhe sigurisë dhe mbrojtjes së njerëzve të tij”.

Sulmi kamikaz në Kabul, mes viktimave edhe trupa amerikanë

Pentagoni ka konfirmuar se një disa trupa amerikane ndodhen midis viktimave që shkaktoi shpërthimi kamikaz në aeroportin e Kabulit. Deri më tani raportohen 11 të vdekur të marinës amerikane dhe një mjek, ndërsa të tjerë janë të plagosur.

Shpërthimi i dyfishtë ishte një sulm ndaj civilëve që po përpiqeshin të largoheshin nga Afganistani. Shpërthimet ndodhën pas paralajmërimeve se mund të ndodhte një sulm nga një grup islamist, pikërisht në ditën kur disa prej shteteve i dhanë fund përpjekjeve të tyre për evakuim.

Për momentin, Britania do të vazhdojë me evakuimet, ka njoftuar Kryeministri Boris Johnson pas një takimi emergjent me këshilltarët e sigurisë.

Norvegjia ndalon evakuimet pas shpërthimit në Kabul

Norvegjia nuk mund të vazhdojë me evakuimin e qytetarëve të saj të mbetur në Kabul, është shprehur ministri i Jashtëm i vendit.

Dyert e aeroportit janë tashmë të mbyllura dhe  nuk është më e mundur që të fusim njerëz brenda”, ka thënë Ine Eriksen Soereide për televizonin “TV2”.

Shpërthimet që shkundën aeroportin e Kabulit ndodhën në të njëjtën ditë që disa shtete njoftuan për ndalimin e evakuimeve pas situatës së çorientuar të sigurisë.

Reagon Macron pas shpërthimit në Kabul

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka thënë se situata në Afganistan është përkeqësuar shumë dhe se ajo është jashtëzakonisht e tensionuar rreth aeroportit të Kabulit.

Ai po vizitonte Irlandën, pasi një shpërthimi jashtë aeroportit. Deri më tani raportohen të paktën 60 persona të vrarë  në shpërthim, përfshirë fëmijë dhe shumë roje talebanë u plagosën.

Ne po përballemi me një situatë jashtëzakonisht të tensionuar“, tha Macron në një konferencë shtypi të përbashkët me Kryeministrin irlandez Micheal Martin teksa bëri thirrje për kujdes.

Ministria turke e mbrojtjes thotë se ka pasur dy shpërthime jashtë aeroportit të Kabulit. Shpërthimi në aeroportin e Kabulit ndodhi në një kanal të ujërave të zeza ku refugjatët afganë po verifikonin dokumentet e tyre. Sipas tij një kamikaz shpërtheu eksplozivin e tij në turmën e njerëzve para se një sulmues i dytë të fillonte të hapte zjarr.

Tre pjesëtarë të shërbimit amerikan janë në mesin e të lënduarve dhe numri i viktimave amerikane pritet të rritet. Ambasada amerikane në Kabul e përshkroi atë si “një shpërthim të madh”.

Shpërthimi erdhi pasi Shtetet e Bashkuara dhe aleatët i kërkuan afganët të largoheshin nga zona për shkak të një kërcënimi nga Shteti Islamik./tvklan.al