Bashkia: Dosjet kanë përfunduar, pritet fondi nga qeveria

8 muaj pas tërmetit të Qershorit të vitit të kaluar, që shkatërroi dhe dëmtoi dhjetëra shtëpi në Korçë, Devoll dhe Kolonjë, një pjesë e familjeve të prekura ankohen se janë ende në pritje të vlerës së dëmshpërblimit.

Në Floq, fshatin e epiqendrës së goditjeve sizmike, ka përfunduar rindërtimi i të gjitha shtëpive të shkatërruara dhe dëmtuar rëndë. Por janë ende 51 shtëpi të vlerësuara nga komisionet, që nuk janë kompensuar.

Një pjesë e banorëve vazhdojnë të jetojnë në këto shtëpi, të cilat vetë nuk kanë mundësi t’i riparojnë, edhe pse kjo mund të rezultojë e rrezikshme. 

Përgjigjen ua jep nënkryetari i Bashkisë së Korçës, Thanas Tona, që thotë se procesi i plotësimit të dosjeve për çdo objekt të dëmtuar ka përfunduar, por pritet që qeveria të lëvrojë fondin e dëmshpërblimit.

Nga tërmeti i 1 Qershorit 2019, përveç 88 banesave të shkatërruara, janë edhe 553 banesa, në të tre bashkitë e prekura, pronarët e të cilave thonë se ende nuk kanë përfituar kompensimin financiar.

Tv Klan