Të premten Këshilli Bashkiak i hap rrugë shembjes së teatrit



Të premten Këshilli Bashkiak i hap rrugë shembjes së teatrit

20:10 14/05/2020

Instituti i Ndërtimit: Godina jashtë çdo standardi, rrezikon jetë njerëzish

Pasi trualli i Teatrit Kombëtar i kaloi në pronësi Bashkisë së Tiranës, Këshilli Bashkiak do të mblidhet online të premten, në orën 12:00 për miratimin e akt-ekspertizës së bërë nga Instituti i Ndërtimit, që i hap rrugë shembjes së godinës.

Në projektvendim sqarohet se godina e Teatrit Kombëtar, e ndërtuar që në vitin 1938, ka dëmtime dhe përkulje në disa zona të  soletës, degradim të sipërfaqes dhe materialeve për shkak të cilësisë dhe vjetërsisë, cedime të dherave në pjesën e skenës rrotulluese dhe degradim të bazamentit mbajtës, ç’ka rrezikon aftësinë mbajtëse të tyre.

Akt-ekspertimi i bërë në vitin 2018 nga Instituti i Ndërtimit vlerëson se kushtet aktuale të godinës së Teatrit Kombëtar nga ana statike nuk janë të përshtatshme për kryerjen e aktiviteteve dhe se janë jashtë normave të projektimit e shfrytëzimit të godinës.

Ekspertët sqarojnë se riparimi i objektit në 90% të tij dhe sjellja e godinës në kushtet teknike të sotme përbën vështirësi dhe se kërkon një kosto shumë të madhe.

Ata sugjerojnë shembjen e godinës, pasi sipas tyre është jashtë normave të projektimit, duke rrezikuar deri jetën dhe shëndetin e njerëzve.

Çështja e Teatrit Kombëtar do të jetë krahas mbledhjes së të premtes edhe në axhendën e punës së Këshillit Bashkiak të Tiranës, edhe ditën e hënë, ku në orën 11:00 është parashikuar dhe projektvendimi për shqyrtimin e projektit për ndërtimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar.

Pas ndërprerjes së negociatave me privatët, Bashkia do të marrë një kredi nën garancinë e qeverisë, për realizimin e projektit të ri.

Tv Klan







Të ngjashme