Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur komenteve mëngjesin e sotëm në rubrikën ‘Sy m’Sy’, ku një prej komentuesve e ka pyetur në lidhje me marrjen e demokratëve, që sipas tij është duke bërë, duke iu referuar rastit të FRPD-së në Vlorë.
Rama u shpreh se nuk është se i morri ato, teksa nuk kurseu edhe vlerësimet për ta. Kreu i qeverisë u shpreh se ata nuk janë bërë socialistë dhe nuk dihet se si do jenë marrëdhëniet e tyre në vijim, por sipas Ramës ata do të mbështesin atë dhe PS-në duke kërkuar votën e demokratëve.
“Nuk është se i mora ata të FRPD. E para bëhet fjalë për një grup shumë interesant dhe shumë pozitiv vajzash dhe djemsh që janë të FRPD-së së Vlorës dhe për dikë që ishte zv.kryetare e FRPD-s në shkallë kombëtare. Patjetër ka krijuar një impakt. Ata nuk u bënë socialistë, por janë pozicionuar për të dhënë mesazhin për arsyet e tyre. Kanë shpjeguar edhe në podkast që do bëjnë fushatën e tyre jo me PS, por më vete dhe do të më mbështesin mua dhe PS-në si rrjedhojë, por duke e kërkuar vetëm votën e demokratëve pikërisht për atë që unë them dhe për asnjë gjë tjetër për momentin. Për mos të humbur asnjë moment nga rruga e anëtarësimit dhe për të marr pasportën europiane për Shqipërinë dhe një pasaportë në dorë për çdo shqiptar dhe shqiptare, që të bëhet përfundimisht qytetar të BE-së. Kjo është arsyeja pse ata u bënë me mua në këtë betejë. A do të na qëndrojnë rrugët e bashkuara më tutje, këtë do ta shohim. Unë kam shumë simpati dhe respekt për ta. Kam mësuar disa gjëra që i mëson vetëm kur arrin të shohësh gjërat nga pozita e dikujt tjetër dhe kur dikush ta jep këtë mundësi. Është marrëdhënie shumë pozitive. Impakti është shumë i fortë”, u shpreh Rama.
Ndër të tjera Rama nuk i ka kursyer ironitë për Kryetarin e PD-së Sali Berisha. Ai ka thënë se veç anëtarëve të FRPD në Vlorë ka pasur kontakte edhe me kandidatë nga primaret për t’u bashkuar me PS.
Kryeministri tha se primaret tregojnë gjithçka, teksa u shpreh se jo vetëm ujku, por dhe bufi qimen e ndërron, por zakonin se harron, duke iu referuar liderit demokrat Sali Berisha.
“Kam pasur kontakte të tjera me të tjerë të qytete të tjera. I vlerësoj dhe i respektoj. Janë të mirëpritur të gjithë. Janë një sërë individësh që kanë zhvilluar edhe primare që na kanë kontaktuar për ato primaret e famshme dhe të tmershme. Për ata primaret që thonë gjithçka që tregojnë që jo vetëm ujku, por edhe bufi i kënetës, puplën e ndëron por zakonin se harron”, tha Rama./tvklan.al