Bare: Të tentojmë të paktën barazimin me Francën

Të rinjtë e Kombëtares nuk mendojnë se duhet të hyjnë si të humbur në fushë ndaj Francës për kualifikueset e Euro 2020. Keidi Bare, i cili debutoi me kuqezinjtë në miqësoren e vitit të kaluar me Norvegjinë, mendon se duhet besuar për një rezultat pozitiv, por duke qëndruar me këmbë në tokë.

“Të them 6 pikë dukem pak si egoist. Franca është shumë ekip i fortë, por ne mund të tentojmë që të marrim të paktën një barazim”.

Së bashku me mesfushorin e Malaga ishte dhe risia në grupin e kuqezinjve, mbrojtësi i Verona, Marash Kumbulla. Pasi ka kaluar të gjithë përfaqësuesen e moshave të Shqipërisë, shpreson të ketë sukses me atë të drejtuar nga Edy Reja.

“Isha shumë i emocionuar, pasi jam 19 vjeç dhe do të luaj sërish me Shqipërinë U21. Megjithatë isha shumë i lumtur kur më thirri trajneri Reja. Shpresojmë të marrim sa më shumë pikë të mundemi në këto dy takime”.

Shqipëria do të përballet të shtunën në orën 20:45 në Paris me Francën me një stadium që pritet të jetë i mbushur.

Tv Klan