Të shkarkohet Zëvëndësministri i Punëve Publike dhe Transporteve, Pëllumb Vladi. Kontrolli i Lartë i Shtetit i ka drejtuar këtë kërkesë sot Kryeministrit Pandeli Majko në kuadrin e marrjes së disa masave disiplinore. Sipas Kryekontrollorit të Shtetit Mustafa Kërçuku kanë kaluar 20 ditë pas kontrollit të shtetit në Ministrinë e Transporteve e Punëve Publike ku pas disa shkeljeve të vërejtura është propozuar largimi nga puna mes të tjerëve dhe për Pëllumb Vladin, kjo e mbështetur në disa fakte.

Në digasterin që ka drejtuar Vladi pra në administrimin e ndërmarrjeve, veç të tjerave nuk është arkëtuar në arkën e shtetit nga ortakët privatë shuma prej 14 milion dollarë ose është arkëtuar vetëm 3% e shumës. Sipas kontrolleve ka shoqëri që nuk e ka derdhur fare shumën në kapitalin e përbashkët.

Si pasojë e mungesës së kontrollit nga ndërmarrjet që drejtonte Pëllumb Vladi ka patur një shmangie nga detyrimet fiskale ndaj shtetit të shumës 25.6 milion lekë të cilët nuk janë arkëtuar në buxhet, si dhe janë konstatur parregullsi dhe vlerësime të gabuara në kundërshtim me predispozitat ligjore për privatizimin e pronës shtetërore me një efekt prej 859 mijë lekë të reja në dëm të arkës së shtetit.

Gjithashtu sipas raportit të kontrollit të shtetit mangësi janë vërejtur në zbatimin e platformës së privatizimit dhe në veçanti në respektimin e afateve për dorëzim dokumentacioni për afatet e vlerësimit të objekteve. Mangësi të tjera janë vërejtur dhe në dhënien, rinovimin dhe evidentimin e licensave profesionale që lëshohen nga kjo drejtori për aktivitete ndërtimi apo transporti.

Rasti më i fundit i një shkelje nga Pëllumb Vladi u shënua një javë më parë tashmë në postin e zëvëndësministrit ku kërkoi ndërtimin e pallatit në kodrat e Liqenit, jashtë ligjeve të zbatimit apo urdhrit të KRT-së propozim që u hodh poshtë nga Kryeministri Majko.

Duke rreshtuar të gjitha shkeljet ligjore dhe mangësirat profesionale të ministrit aktual të Punëve Publike dhe Transportit Pëllumb Vladi, kryetari i kontrollit të lartë të shtetit Mustafa Kërçuku ,me keqardhje konstaton se ndaj tij jo vetëm që nuk është marrë asnjë masë por është emëruar dhe zëvëndësministër.

Nëse kryeministri Pandeli Majko do me të vërtetë të luftojë korrupsionin, dhe kontrabandën ashtu siç është shprehur dhe përkushtuar, luftën duhet ta nisë nga korrupsioni që zë myk në ministri të ndryshme si rasti i Ministrisë së Punëve Publike me zëvëndësminsitrin e tij Pëllumb Vladi. /tvklan.al

Gazetar: Eduart Frangaj