Blendi Fevziu risjell në vëmendje gjendjen e froneve mbretërore

Të dëmtuar dhe të lënë në harresë në një korridor të Pallatit Mbretëror. Ky është fati i dy froneve të përdorura nga Ahmet Zogu dhe Mbretëresha Geraldinë në Shqipëri. Gazetari Blendi Fevziu zgjodhi që këtë të enjte të postonte një fotografi i ulur së bashku me Artan Lamen në këto dy frone.

“Këta janë dy fronet e pallatit mbretëror shqiptar që kanë përfunduar të dëmtuar në një korridor të tij. Mëkat që nuk kemi ditur të ruajmë as ata”, shkruajti Fevziu në një postim në rrjetet sociale.

Imazhi në fjalë u shkëput nga emisioni i pak ditëve më parë i gazetarit. Më 4 Mars, “Opinion” i dedikohej vendeve ku kishin banuar Enver Hoxha, Ahmet Zogu dhe drejtues të tjerë të Shqipërisë. Ishte pikërisht gjatë këtij emisioni, ku Fevziu bëri thirrje për restaurimin e këtyre froneve.

“Janë të vetmet frone mbretërore besoj në historinë e globit, që janë përdorur si fron i mbretit dhe mbretëreshës, që janë të shqyer dhe janë hedhur në një cep. Shpresoj që tani që dolën në televizor nuk i vjedh njeri”.

“Ka frone ne botë që janë vendosur në kuti xhami… Shpresoj që një prej njerëzve të pasuruar në këto 30 vjet të verë dorën në zemër për shumë pak para për të restauruar fronin e mbretit dhe mbretëreshës, që në çdo vend të botës janë në muze dhe konsiderohen pjesa më interesante, në Shqipëri janë pas një shkalle dhe që pak vete e dinë që janë fronet e Pallatit Mbretëror”, tha ndër të tjera Fevziu./tvklan.al