Një autobus me nxënës shkolle ka rënë pre e një sulmi me armë në fshatin Gllogjan në komunën e Deçanit në Kosovë. Klan Kosova raporton se nga të shtënat me armë kanë mbetur të vdekur tre persona; dy nxënës dhe shoferi i autobusit. Nxënësit që kanë humbur jetën janë të moshave 17 dhe 19 vjeç.

Disa persona të tjerë që udhëtonin me autobus kanë mbetur të plagosur dhe janë dërguar në spital.

Shkaqet e kësaj ngjarje të rëndë nuk dihen ende. Në vendngjarje kanë shkuar forcat e policisë dhe të ambulancës. Sipas Policisë së Kosovës, autobusi ishte nisur nga Gjakova për në Deçan.

Vrasja e nxënësve në Kosovë, politika dënon krimin e rëndë

Presidentja Osmani: Goditje ndaj rendit dhe sigurisë

Sulmi ndaj autobusit me nxënës është goditje ndaj rendit e sigurisë sonë. Siguria e qytetarëve është prioritet, ndaj nuk do të zmbrapsemi në përmbushjen e këtij misioni. Ju shpreh ngushëllime të sinqerta familjeve të të vrarëve dhe uroj shërim të shpejtë për të lënduarin”.

Kurti: Policia po heton këtë krim të rëndë

Sonte u tronditëm nga lajmi për sulmin me armë zjarri ndaj autobusit me nxënës në Gllogjan të Deçanit. Sipas Policisë së Kosovës nga ky sulm kanë mbetur të vrarë tre qytetarë të vendit tonë, prej të cilëve dy nxënës.

Në emrin tim dhe në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjeve, shokëve e shoqeve, që humbën më të dashurit në këtë sulm. Të plagosurit i dëshirojmë shërim të shpejtë. Policia është mobilizuar me kapacitetet e saj të plota për ta hetuar këtë krim të rëndë, e për të mundësuar drejtësi.

Rama: Autori meriton ndëshkim ekstrem të drejtësisë

Jetët e marra në Kosovë nga plumbat e një egërsie që meriton ndëshkimin ekstrem të drejtësisë, na kanë brengosur të gjithëve. Ngushëllime vëllazërore familjeve të goditura në zemër nga humbja absurde. Kurajo e mbështetje institucioneve të Kosovës në këtë moment sfidues”.

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta: Thellësisht i tronditur nga akti kriminal në Gllogjan të Deçanit, ku sipas të dhënave paraprake raportohet për tre humbje jete dhe një të plagosur. Ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta dhe solidaritetin e plotë familjeve të të vrarëve dhe të gjithë popullit të Kosovës, duke bashkëndarë me ta dhembjen e madhe për këtë ngjarje shumë të rëndë.

Kreu i PD, Lulzim Basha: Dhimbje dhe trishtim për ngjarjen e sotme në Deçan. Ngushëllimet më të ndjera familjeve të viktimave. Shërim të shpejtë nxënësit që po merr ndihmën mjekësore. Jam i sigurt se autoritetet do bëjnë gjithçka për zbardhjen dhe vënien para drejtësisë të autorëve të këtij krimi makabër.

Kreu i LDK, Lumir Abdixhiku: I trishtuar e tronditur me aktin makabër sonte në Deçan. Është më shumë se krim! Në këto momente të rënda, jemi me familjarët e viktimave dhe të lënduarve në Deçan. Ndajmë dhimbjen dhe lutjet me ta. Organet e rendit dhe drejtësisë të veprojnë shpejtë e në kapacitet të plotë. Të sjellin para ligjit e drejtësisë autorin e këtij krimi monstruoz, që sulmon një autobus të mbushur me nxënës e fëmijë.

Kreu i AAK, Ramush Haradinaj: I trishtuar nga sulmi kriminal që ndodhi në Gllogjan, ku humbën jetën tre persona, prej të cilëve dy nxënës. Bashkëndjejmë me familjarët e të vrarëve, duke u lutur për durim dhe forcë, në këto momente të rënda për të gjithë ne. Falënderoj kryetarin Bashkim Ramosaj, Policinë, Prokurorinë dhe ekipet mjekësore emergjente për punën e tyre.  Apeloj që organet e rendit sa më parë, të zbulojnë e të kapin autorin e këtij veprimi të ulët kriminal dhe i njëjti të sjellet para drejtësisë.

Kreu i AKR, Behgjet Pacolli: Jemi të tronditur nga lajmi për disa të vrarë në fshatin Gllogjan të Deçanit. Lutemi për të lënduarit dhe shprehi ngushëllimet e mia më të sinqerta familjarëve të viktimave. Tragjedi si kjo duhet të na bëjnë të zgjohemi dhe të kërkojmë zero tolerancë për armëmbajtje dhe për kriminelët e tillë!

Të lënduarit i uroj shërim sa më të shpejtë dhe përgëzoj ekipet mjekësore për përkushtimin dhe profesionalizmin, që po dëshmojnë! Kam besimin e plotë se institucionet përgjegjëse dhe drejtësia në Republikën e Kosovës do të zbulojnë sa më parët autorët, që meritojnë ndëshkimin më të ashpër ligjor.

Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka: Pikëllim e dhimbje për tragjedinë në Kosovë të shkaktuar nga një dorë kriminale që meriton dënimin më të ashpër që parashikon ligji. Mendjet e lutjet tona ju shkojnë familjeve të viktimave të pafajshme!  U prehshin në paqe!/tvklan.al