Objektivi i autorëve kishte dalë nga burgu para disa ditësh

Dy persona janë plagosur në Vlorë gjatë një atentati që ndodhi mbrëmjen e së shtunës.

Nikollaq Çepaj, 36 vjeç dhe Roland Çepaj, 27 vjeç, të afërm me njëri tjetrin, ishin duke pirë kafe në një lokal, kur ndaj tyre u qëllua me breshëri automatiku.

Ata janë dërguar me urgjencë drejt spitalit rajonal. Nikollaq Çepaj ka marrë disa plumba, njërin prej tyre në kokë dhe ndodhet në gjendje kritike për jetën.

Në orët e mbrëmjes ai është transportuar drejt spitalit të traumës në Tiranë. Ndërsa i plagosuri tjetër është jashtë rrezikut.

Dëshmitarët tregojnë se autori ka dalë nga makina dhe ka hyrë në lokal duke qëlluar me breshëri. Ata thonë se ai ka qenë i pamaskuar ndërsa në kokë mbante një kapele.

Rreth 2 orë pas ngjarjes, në fshatin Cerkovinë është gjetur i djegur një mjet Benz brenda të cilit ishte një armë kallashnikov që mendohet se përket autorëve të krimit.

Policia dyshon se objektiv i atentatit ishte 36 vjeçari Nikollaq Çepaj, i cili kishte dalë nga burgu tre ditë më parë. Në Maj të 2008-ës ai plagosi me armë shtetasin Eraldo Lazaj, 34 vjeç.

Në qytetin e Vlorës janë ngritur disa postblloqe policie ndërkohë që kanë nisur hetimet për të bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Tv Klan