I dënuari Arben Lleshi mbeti i vrarë këtë të premte në burgun e sigurisë së lartë në Peqin.
Ai u qëllua me armë zjarri pistoletë, në rrethana ende të paqarta, dyshohet nga i burgosuri tjetër Sokol Mjacaj. Ky i fundit është i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy turistëve çekë në Shkodër në vitin 2015.
Paraprakisht dyshohet se arma e zjarrit është futur me dron në ambientet e burgut, por ende nuk është konfirmuar nga autoritetet.
I plagosur nga kjo ngjarje ka mbetur edhe Indrit Shaqja. Ai ka marrë një plumb në këmbë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Situata brenda burgut është aktualisht nën kontroll, ndërsa hetimet po ndiqen nga Prokuroria e Elbasanit. Në vendngjarje kanë shkuar edhe Drejtori i Përgjithshem i Burgjeve, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Forcat Operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, forcat RENEA.
Sipas Klan News, Mjacaj është izoluar në një qeli pas ngjarjes dhe është duke u marrë në pyetje nga prokurori i çështjes.
Gazetarja Glidona Daci raportoi se Arben Lleshi është ekzekutuar me tre plumba në momentin që ka qenë në qelinë e tij. Ai ka shkuar në Godinën B, në seksionin 2 të posaçëm dhe fillimisht e ka thirrur në emër “Arben Lleshi dil”.
Pasi Lleshi ka dalë nga dera e qelisë, ai e ka qëlluar me pesë plumba. Nga ana tjetër, Indrit Shaqja ka qenë në afërsi të ngjarjes dhe është plagosur aksidentalisht në këmbë.
PËRSE NDODHI PËRLESHJA
Burime të pakonfirmuara thonë se ngjarja dyshohet të jetë vrasje me pagesë. Sokol Mjacaj besohet të jetë paguar për të kryer vrasjen e Arben Lleshit brenda burgut.
KUSH ISHTE ARBEN LLESHI
Arben Lleshi vuante një dënim me burgim të përjetshëm për një vrasje të kryer në Britaninë e Madhe. Më 10 Prill 2012, ai vrau 29-vjeçarin Agim Hoxha. Viktima u gjet në sediljen e pasme të një makine “Mercedes”. Për të humbur gjurmët, Lleshi i vendosi flakën mjetit pranë Southampton. Pas ngjarjes ai u arratis në Itali ku u kap një muaj më vonë nga autoritetet atje. Pas ekstradimit në Britaninë e Madhe ai u dënua me burg të përjetshëm në vitin 2013. (Lexo më shumë).

KUSH ËSHTË SOKOL MJACAJ
Sokol Mjacaj vrau dy turistë çekë në Korrik të vitit 2015 në Prekal të Shkodrës. Mjacaj u bëri pritë turistëve, Mikael Svatos 27 vjeç dhe Ana Kosinovës 36 vjeç, duke qëlluar me automatik makinën e tyre. Ai u arrestua pak ditë pas krimit në fshatin e Grudës. Ai e pranoi vrasjen e çiftit të turistëve (Lexo më shumë).

KUSH ËSHTË INDRIT SHAQJA
Indrit Shaqja është dënuar me burgim për të përjetshëm për vrasjen e dy kunatave Elsa dhe Gjinovefa Vava, përkatësisht 75 dhe 70 vjeçe, ngjarje e ndodhur më 3 Shtator të 2014-s Ai po ashtu është një prej personave të dyshuar për zhdukjen e këngëtarit të tallavasë Renato Hamza, i njohur ndryshe si Reni i Elbasanit, në Qershor të 2014-s (Lexo më shumë).

Tv Klan