Plagosen babë e bir, një prej tyre humb jetën në spital

I përditësuar: Një konflikt mes disa personave në Durrës ka çuar në përdorimin e armëve të zjarrit mbrëmjen e kësaj të premteje. Për pasojë dy persona mbetën fillimisht të plagosur.

Korrespondentja e Tv Klan në Durrës, Enkelejda Arapi, mëson se ata janë Armando Baboçi dhe Erald Gjini, babë e bir. Ata u dërguan në spital, ku 39-vjeçari ndërroi jetë pak kohë pas ngjarjes.

Mësohet se babë e bir u përfshinë në një konflikt të çastit me disa persona të tjerë, ku fillimisht janë përdorur mjete të forta. Më pas, një person ka qëlluar me armë zjarri duke bërë dy vetë për spital.

Policia thotë se ka shoqëruar gjithsej 6 persona në komisariat, mes tyre edhe autori i dyshuar i ngjarjes. Megjithatë, uniformat blu të qytetit bregdetar nuk japin të tjera detaje për shkak të hetimit.

***

Informacion paraprak: Më datë 18.09.2020, rreth orës 20:00, në lagjen nr.13. Durrës, pas një konflikti të çastit me mjete të forta e më pas me armë zjarri midis disa personave, janë plagosur me armë zjarr shtetasit A.B., dhe E.Gj., të cilët ndodhen në spital nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Falë reagimit të menjëhershëm të Policisë, janë shoqëruar në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës 6 shtetas dhe mes tyre është autori i ngjarjes, por nuk jepen të dhëna për shkak të hetimit.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e ngjarjes.

Informacioni i dytë i policisë për mediat: Në lidhje me informacionin e mësipërm ku mbetën të plagosur me armë zjarri shtetasit A.B., 39 vjeç dhe E.Gj., 19 vjeç, si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal Durrës shtetasi A.B.

Po në lidhje me këtë informacion është paraqitur i lënduar në Urgjencën e Spitalit Durrës, shtetasi E.T., për të cilën grupi hetimor po punon për sqarimin nëse ka lidhje me këtë ngjarje. /tvklan.al