Të shtëna me armë zjarri kanë ndodhur mesditën e sotme në qytetin e Elbasanit pranë zonës së stadiumit.

Sipas informacioneve nga vendngjarja, një automjet tip “Mazda” është gjetur i ndaluar dhe i braktisur në mes të rrugës. Pranë mjetit, në tokë është konstatuar edhe një gëzhojë arme.

Dyshohet që ndaj mjetit të jetë qëlluar me armë, por kjo pistë mbetet ende për t’u konfirmuar.

FOTO NGA VENDI I NGJARJES

Në vendngjarje ndodhet policia, e cila ka bërë të mundur rrethimin e zonës dhe po heton për të zbardhur dinamikën.

Kurse disa dëshmitarë në vendngjarje kanë thënë për tvklan.al se ka patur shkëmbim zjarri ndërmjet dy automjeve.

Ndërkohë, nuk ka informacione për persona të plagosur. Autoritetet po punojnë për të identifikuar pronarin e mjetit të braktisur në rrugë. Ndërkohë, do të bëhet edhe kqyrja e kamerave të sigurisë në zonë.

Informacioni paraprak i Policisë së Elbasanit:

Rreth orës 11:50 , në lagjen “Emin Matraxhiu”, Elbasan, dyshohet se   gjatë një konflikti  është qëlluar me armë zjarri në drejtim të një mjetit. Autori i dyshuar  ka braktisur mjetin dhe është larguar. Deri në këto momente nuk ka asnjë njoftim as nga spitali dhe as nga qytetarët për ndonjë person  të plagosur.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes,  identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.

Shërbimet e Policisë po krehin zonën në të cilën dyshohet se mund të jetë fshehur autori  që ka qëlluar me armë zjarri.

/tvklan.al