5 persona të plagosur me armë është bilanci i një ngjarje që ndodhi në Laç këtë të shtunë. Policia njoftoi se ngjarja dyshohet të ketë ndodhur si pasojë e një konflikti të çastit mes disa personave.
Të lënduarit janë A.Gjezaj, L.Ismalaj, A.Ndoci, D.Gjeloshi, G.Bitri. Ata janë dërguar menjëherë për ndihmë më të specializuar në Spitalin e Traumës në Tiranë. Siç raporton gazetari Martin Marku mes të plagosurve është edhe një grua. Ngjarja u regjistrua pranë ish-gjykatës së Kurbinit në mes të ditës.
Ndërkohë shërbimet e policisë kanë shoqëruar disa persona. Ata po punojnë për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes. Sa i përket autorit, ai është identifikuar nga policia, e cila thotë se po vijon punën për ta vënë në pranga.
“Rreth orës 13.30, pranë ish-Gjykatës së Kurbinit, dyshohet se si pasojë e një konflikti të çastit midis disa personave, kanë mbetur të plagosur me armë zjarri shtetasit L. I., A. Gj., G. N., A. N, dhe D.Gj, të cilët janë dërguar menjëherë për ndihmë mjekësore më të specializuar në spitalin e Traumës në Tiranë.
Me marrjen e njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendin ngjarjes, ku kanë bërë të mundur shoqërimin e disa personave dhe në ndihmë të Policisë Vendore kanë shkuar dhe Forcat Kombëtare të Sigurisë Njësia Shkodër.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për sqarimin e plote të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin ligjor të saj, si dhe për kapjen e shtetasit që qëlloi me armë gjatë konfliktit të çastit, i cili është identifikuar nga ana jonë dhe vijon puna për kapjen e tij”, tha zyrtarisht policia e Kurbinit në një njoftim për mediat./tvklan.al