Gjovalin Prendi, 64 vjeç, u ekzekutua me armë zjarri mbrëmjen e të enjtes në një lokal në Pllanë të Lezhës. Viktima është babai i Sidorel Prendit, i njohur edhe si Roan Brahimi, i cili u vra vitin e kaluar në një atentat në Athinë.
“Në fshatin Pllanë, në rrethana ende të paqarta është vrarë me armë zjarri shtetasi Gjovalin Prendi 64 vjeç, banues në Pllanë, Lezhë. Forca të shumta të Policisë kanë shkuar në drejtim të vendit të ngjarjes të mbështetura nga Forca Kombëtare e Sigurisë, Njësia Shkodër”, njoftoi policia.
Kujtojmë se djali i Gjovalin Prendit, Roan Brahimi, u qëllua në sy të gruas dhe fëmijës së mitur më 9 Maj në kryeqytetin grek.
Emri i Roan Brahimit ishte i njohur për drejtësinë shqiptare. Ai njihej si rivali i Ervis Martinajt dhe akuzohej si i përfshirë në atentatin ndaj Ylli Brahimit, ku mbeti i vrarë Klisman Preçi.
Roan Brahimi ishte në kërkim policor edhe për ekzekutimin e Brilant Martinajt dhe miqve të tij, në mbikalimin e Fushë-Krujës, më 17 Korrik 2022.

Ndër të tjera ai dyshohej se kishte lidhje edhe me vrasjen e Gentjan Bejtjes, i ekzekutuar disa muaj para Brahimit në vitin 2024.
Deri më tani mbetet e paqartë nëse ekzekutimi i Gjovalin Prendit ka lidhje me të shkuarën e errët të djalit të tij. Policia ka ngritur një grup të posaçëm hetimor për të zbuluar shkaqet dhe rrethanat e kësaj ngjarje.
Sa i përket autorëve dyshohet se ishin katër.
“Informacionet janë se policia është vënë në ndjekje të tyre dhe se ka kamera sigurie në ambientin ku ka ndodhur kjo ngjarje e rëndë”, raportoi Martin Marku.
Sipas gazetarit, viktima nuk ka qenë i vetëm në lokal në momentin e ngjarjes. Siç duket autorët e kanë identifikuar dhe më pas kanë shtënë drejt tij në tavolinën ku ishte ulur.
Dyshohet se ata janë larguar në drejtim të Kurbinit./tvklan.al