Një ngjarje e rëndë e ndodhur mbrëmë në një plazheve më të frekuentuar të Shqipërisë, atë të Dhërmiut, ka tronditur me qindra pushues të huaj e shqiptarë që kishin zgjedhur këtë zonë bregdetare për të pushuar, duke i dhënë një goditje të rëndë turizmit, në kulmin e tij.

Një sherr masiv mes disa personave në një nga lokalet e natës aty, ka degjeneruar deri në përdorimin e armëve të zjarrit. Katër plumba pistolete janë qëlluar në mes të lokalit të mbushur plot e përplot me turistë, nga Emiljano Nina, një 23-vjecar i cili është arrestuar nga policia.

Pushues të shumtë, vendas dhe të huaj, të mbledhur në lokalin me emrin Havana, të kapur në panik dhe për t’u shpëtuar plumbave, janë larguar të tmerruar e me shpejtësi, duke shkelur mbi njëri tjetrin.

Pamjet të cilat qarkullojnë pas ngjarjes nga Bar Havana janë tronditese. Tavolina të rrezuara në tokë, gota të thyera duken gjithandej, që dëshmojnë se situata ka qenë e frikshme.

Dëshmitarë okularë kanë treguar në forma të ndryshme, përmes postimeve në rrjete sociale po dëshmive për gazetarët, tmerrin që panë me sy.

Thonë se kanë parë persona të përgjakur gjatë kohës që tentonin të iknin pasi plumbat e pistoletës iu vërshonin mbi kokë.

Zyrtarisht policia sqaron se nga kjo ngjarje nuk ka patur asnjë të plagosur apo dëmtuar. Sot në këtë lokal kanë mbetur ende gjurmët e ngjarjes së rëndë të një dite më parë.

Pushuesit nuk e kanë harruar tmerrin dhe thonë se nuk do të kthehen më ketu, duke dëshmuar kështu dëmin më të madh që i ka shkaktuar kjo ngjarje turizmit në Shqipëri.

Duket se këto plumba inaguruan edhe pedonalen e re të Dhermiut, një investim i qeverisë ky për të ndihmuar turizmin.

Por me një pasiguri të tillë, ku persona të rrezikshëm qarkullojnë me armë nëpër lokale e plazhet më të frekuentuara dhe i përdorin ato si pa të keq duke rrezikuar jetën e turistëve, imazhi i Shqipërisë turistike është goditur rëndë.

Pasi në këto kushte pasigurie, asnjë pushues i huaj nuk do të zgjidhte për të pushuar nje vend ku mund t’i rrezikohet jeta.

Tv Klan