Një efektiv policie në Laç pretendon se është sulmuar me armë zjarri nga dy persona të tjerë.

Sipas policit 23-vjeçar Dh.M., ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së hënës rreth orës 21:00 në vendin e quajtur “Rruga e Sanxhakut”, teksa ai ka qenë duke shkuar në punë me makinë private.

Sipas efektivit, i cili ka bërë kallëzim, 2 të dyshuarit qëlluan me armë në ajër sapo e panë atë. Nga ana tjetër, efektivi u kundërpërgjigj duke qëlluar edhe ai me pistoletën e shërbimit nga brenda makinës.

Nga të shtënat me armë zjarri nuk ka asnjë person të lënduar. Në vendngjarje shkoi grupi hetimor mëngjesin e sotëm duke kqyrur zonë. Aty u gjetën vetëm gëzhojat e pistoletës së policit që kishte qëlluar nga brenda automjetit.

Ndërkohë, nuk janë gjetur gëzhoja të tjera që pretendohet se i përkasin 2 autorëve të supozuar.

Grupi hetimor, së bashku me AMP-në, është duke e hetuar këtë ngjarje.


NJOFTIMI ZYRTAR I POLICISË:

Rreth orës 21:00, të mbrëmjes së kaluar, punonjësi i Policisë, shtetasi Dh. M., 23 vjeç, banues në Laç, me detyrë inspektor i Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Lezhë, ka kallëzuar se sapo ka dalë nga banesa, për në punë, me automjet privat, ka parë në rrugë, në vendin e quajtur “Rruga e Sanxhakut”, 2 shtetas të armatosur, të cilët sipas dëshmisë së 23-vjeçarit, sapo e kanë parë atë, kanë qëlluar me armë zjarri, në ajër.

Në një situatë të tillë, punonjësi i Policisë është kundërpërgjigjur, duke qëlluar nga brenda automjetit të tij, me armën e shërbimit.

Nga të shtënat nuk është dëmtuar asnjë shtetas.

Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje, si dhe është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili po punon intensivisht, në drejtimin e Prokurorisë së Lezhës, për të fiksuar çdo provë qe do të çojë në sqarimin e rrethanave dhe të mekanizmit të ngjarjes, si dhe në zbardhjen e së vërtetës mbi këtë rast.

Aktualisht, nga këqyrja e vendit të ngjarjes rezulton se është dëmtuar automjeti i punonjësit të Policisë, nga qitjet me armë zjarri të kryera nga vetë punonjësi, nga brenda automjetit. Në vendngjarje nuk konstatohen gëzhoja, gjurmë apo prova të tjera materiale që mund t’iu përkasin shtetasve të kallëzuar nga punonjësi i Policisë.

Me qëllim hetimin e plotë të rastit dhe sqarimin e rrethanave të tij, te grupi i posaçëm hetimor është përfshirë dhe struktura vendore e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.


/tvklan.al