Ishte ora 19:00 kur Ndriçim Jonuzi, alias Ndriçim Tahiri hyri në ambientet e kësaj zyre elektorale të Partisë Demokratike në Kavajë dhe hapi zjarr në drejtim të 27-vjeçarit Bledar Okshtuni, duke e lënë atë të plagosur.

Ngjarja sipas policisë, erdhi si pasojë e një konflikti për motive të dobëta, megjithatë këto motive momentalisht mbeten të panjohura.

27-vjeçari Okshtuni, sekretar i PD në Kavajë, mbeti i plagosur në këmbë. Ai u dërgua në spitalin e Durrësit dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë me të mbërritur në vendin e ngjarjes, Policia bëri të mundur identifikimin e autorit të dyshuar dhe e shpalli atë në kërkim.

Burime nga vendi i ngarjes bëjnë të ditur se Jonuzi shoqërohej edhe nga dy persona të tjerë, Markel Shtylla dhe Dorian Troplini, që nga PD janë identifikuar si simpatizantë të PS-së.

Përveç qytetarëve të shumtë, jashtë ambienteve të kësaj zyre u vu re edhe prezenca e ish-deputetes Grida Duma, e cila në një prononcim për mediat, e konsideroi ngjarjen një akt politik.

Ndërkohë menjëherë pas ngjarjes, drejt Kavajës u nis edhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Prej andej, në një prononcim për mediat, Basha e cilësoi ngjarjen atentat kundër Partisë Demokratike dhe gjithë opozitës së bashkuar. Ai bëri përgjegjës për Kryeministrin Edi Rama, i cili sipas tij, e di që më 25 Prill do të humbasë zgjedhjet.

Një reagim për ngjarjen pati edhe Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i cili po ashtu njoftoi se do të shkonte drejt Kavajës.

Momenti kur sekretari i PD-së nxirret jashtë zyrës pas plagosjes

Këto janë momentet kur Bledar Okshtuni shoqërohet jashtë zyrës për t’u dërguar më pas në spital pasi u qëllua me armë. Ai dallohet teksa mbahet nga dy persona dhe ecën duke çaluar për shkak të plagës në këmbë. Po ashtu brenda zyrës elektorale janë ende të dallueshme shenjat e gjakut. 

Çfarë ndodhi në zyrën elektorale të PD në Kavajë, policia jep informacion zyrtar

Policia e Tiranës dha informacion zyrtar për ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e kësaj të hëne në një zyrë elektorale të Partisë Demokratike në Kavajë, ku mbeti i plagosur në këmbë një 27-vjeçar. Kështu, në njoftimin e saj paraprak për mediat, policia thotë se shkak për ngjarjen u bënë motivet e dobëta.

Sot rreth orës 19:00, në lagjen nr.4, në Kavajë, shtetasi N. J., dyshohet se si pasojë e një konflikti për motive të dobëta, ka hyrë në ambientet e brendshme të një zyre elektorale të një subjekti politik dhe ka plagosur me armë zjarri pistoletë në këmbë shtetasin B. O., 27 vjeç, i cili ndodhet në spitalin e Durrësit, nën kujdesin e mjekëve.  Menjëherë forca të shumta Policie kanë shkuar në vendngjarje dhe vijon krehja e zonës si edhe janë ngritur pika kontrolli në hyrje-dalje të Qytetit për kapjen e autorit.  Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën  për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes”, thuhet në njoftim.

Tvklan.al mëson se autor i dyshuar i kësaj ngjarjeje është Ndriçim Jonuzi alias Ndriçim Tahiri, pasi ka ndërruar mbiemër. Ky person rezulton me precedentë të theksuar kriminalë në fushën e krimit kundër jetës në një vend të BE-së.

Kush është autori i dyshuar i plagosjes së 27-vjeçarit në zyrën elektorale të PD në Kavajë

Një konflikt, pas së cilit sipas policisë qëndrojnë motivet e dobëta, u bë shkak për plagosjen e një 27-vjeçari në një zyrë elektorale të Partisë Demokratike, në qytetin e Kavajës. Ngjarja ndodhi rreth orës 19:00 të kësaj të hëne.

I plagosur nga kjo ngjarje mbeti 27-vjeçari Bledar Okshtuni. Ai mori një plagë në këmbë dhe ndodhet në spitalin e Durrësit, nën kujdesin e mjekëve.

Sa i përket autorit të kësaj ngjarjeje, i cili është shpallur në kërkim, tvklan.al mëson se ai është Ndriçim Jonuzi alias Ndriçim Tahiri, pasi ka ndërruar mbiemër. Ky person është me precedent të theksuar kriminalë në fushën e krimit kundër jetës në një vend të BE-së.

Jonuzi rezulton i arrestuar nga policia në Kavajë më 13 Mars të vitit 2014, pasi ishte shpallur në kërkim nga drejtësia italiane për vrasje me dashje.

“Ky shtetas ka qenë i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma më date 29.05.2007 me vendim të Gjykatës së Torinos, Itali dhe është dënuar me 8 vite burgim për vrasje pa dashje”, thuhej në njoftimin e vitit 2014 të policisë së Tiranës.

Plagosja në zyrën e PD, drejt Kavajës edhe Presidenti Meta

Presidenca ka reaguar pas plagosjes që ndodhi në zyrën e PD-së në Kavajë pasditen e kësaj të hëne. Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale nga zëdhënësi i Metës, Tedi Blushi thuhet se kreu i shtetit po ndjek me shqetësim situatën në Kavajë.

Pritet që Presidenti të udhëtojë urgjentisht drejt Kavajës pas një interviste që pritet të japë në televizion lokal në Elbasan. Kreu i shtetit ndodhet në këtë qytet për një iftar të organizuar nën kujdesin e tij me klerikët lokalë të komuniteteve fetare.

Po ashtu kreu i shtetit fton qytetarët e Kavajës që të mos provokohen dhe të ruajnë qetësinë para zgjedhjeve të 25 Prillit.

“Kreu i Shtetit i fton qytetarët e Kavajës të mos provokohen dhe të ruajnë qetësinë në këto ditë të fundit para Referendumit të Ndryshimit të Madh të 25 Prillit”, thuhet në njoftim.

Ngjarja në Kavajë, Basha: Atentat kundër PD-së

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka deklaruar se plagosja e sekretarit të PD-së në Kavajë, Bledar Okshtuni, në zyrën elektorale të kampit blu në Kavajë është atentat kundër Partisë Demokratike dhe gjithë opozitës së bashkuar. Basha tha se përgjegjës i kësaj ngjarjeje është kryeministri Edi Rama pasi e di që më 25 Prill do të humbë zgjedhjet.

“Sonte Kavaja është përballur me një ngjarje të rëndë, një atentat kundër PD-së, kundër Aleancës për Ndryshim nga një kryeministër që e di se të dielën ai humb, Kavaja fiton dhe Shqipëria fiton. Një njeri, i cili ka humbur çdo lloj kufiri njerëzor dhe që sot hesht ndërkohë që njerëzit e tij me dhunën dhe aktet e atentatit jo thjesht ndaj aktivistit tonë, por ndaj demokracisë tregon se ndaj këtij regjimi ka ardhur fundit. Kërkojnë të frikësojnë Kavajën. Kërkojnë të frikësojnë PD-në, kërkojnë të na mbyllin gojën, nuk kemi frikë, do të marrin përgjigjen e merituar me votë të dielën në Kavajë dhe në të gjithë Shqipërinë”, tha Basha.

Rama: Plagosja në Kavajë, e patolerueshme! Basha të bashkohet me mua për të mbështetur drejtësinë,  pa nxitur tensionin

Kryeministri Edi Rama e cilëson të patolerueshme ngjarjen e ndodhur pasditen e kësaj të hëne në zyrën elektorale të PD në Kavajë, ku mbeti i plagosur 27-vjeçari Bledar Okshtuni.

Duke theksuar se autori i kësaj plagosjeje duhet arrestuar sa më shpejt, Kryeministri e quan po aq të rëndë sa vetë ngjarja politizimin e saj, duke iu referuar kështu reagimin të kreut të opozitës Lulzim Basha, i cili më herët e cilësoi atë, atentat kundër demokracisë dhe akuzoi kryeministrin se qëndronte pas saj.

Në reagimin e tij, Rama i bën thirrje Bashës që jo vetëm të distancohet nga një qëndrim i tillë, por t’i bashkohet atij për të mbështetur drejtësinë.

Sa i përket Presidentit Meta, Rama thotë se ai duhet të “ndalë fushatën idioteske të tensionimit!”

“Plagosja e Kavajës e patolerueshme! Autori duhet çuar në pranga sa më shpejt! Politizimi i kësaj ngjarjeje është po aq i keq sa vetë ngjarja! LB duhet të bashkohet me mua për të mbështetur drejtësinë pa nxitur tensionin, ndërsa IM duhet ta ndalë fushatën idioteske të tensionimit!”, shkruan Kryeministri në një postim në Twitter.

Reagon kandidati i PS-së, Etjen Xhafaj: Ngjarja të mos politizohet

Një reagim për ngjarjen pati edhe kandidati socialist për Kavajën, Etjen Xhafaj.

“Ngjarje si kjo e sotmja nuk përfaqësojnë kulturën dhe qytetarinë e Kavajës. Jam i bindur se ngjarja nuk ka lidhje me politikën dhe ne që garojmë për zgjedhjet e 25 Prillit duhet të jemi të parët që jo vetëm ta dënojmë aktin e sotëm, por edhe mos ta politizojmë këtë ngjarje. Zgjedhjet duhet te jenë festë dhe kështu do të jenë në Kavajë e gjithë Shqipërinë. Autoritetet duhet të veprojnë me shpejtësi dhe autorët duhet të vendosen një orë e më parë para drejtësisë. Shërim sa më të shpejtë për djalin e përfshirë në ngjarje!”, shkruajti ai në një postim në rrjete sociale.

/tvklan.al