Petrit Vuksani, 51 vjeç, mbeti i vrarë më armë mesditën e kësaj të marte në Shkodër. Ngjarja e rëndë ndodhi në banesën ku jetonte 51-vjeçari, që ndodhet në lagjen “Tom Kola” të qytetit.

Në foto viktima Petrit Vuksani, 51 vjeç

Burime për tvklan.al bëjnë të ditur se autor i dyshuar i ngjarjes së rëndë është Lekë Vuksani. Ai mësohet se kishte qenë me qira në banesën e viktimës. Paraprakisht dyshohet se Lekë Vuksani e vrau 51-vjeçarin pasi ky i fundit i kishte kërkuar t’i lironte shtëpinë. Dyshohet se autori e kundërshtonte këtë dhe këtë të martë zbrazi breshëri automatiku në drejtim të viktimës.

Autori i dyshuar i ngjarjes

Lekë Vuksani mësohet se është identifikuar falë kamerave të sigurisë të vendosur në banesë dhe zonën përreth. Aktualisht autoritetet policore e kanë shpallur atë në kërkim dhe po punojnë për kapjen e tij.

“Falë reagimit në kohë të Policisë dhe veprimeve të shpejta profesionale hetimore, është bërë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar të vrasjes së shtetasit Petrit Vuksani. Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të autorit të dyshuar, shtetasit Lekë Vuksani, i cili dyshohet se ka vrarë me armë zjarri automatik shtetasin Petrit Vuksani. Vijon ndjekja dhe krehja e zonës, me qëllim kapjen e shtetasit Lekë Vuksani“, tha policia e Shkodrës në një njoftim për mediat.

(Gazetarja Emi Kalaja jep detaje nga vendi i ngjarjes)

“Tashmë është identifikuar dhe autori dhe është pikërisht qiramarrësi i cili ka vrarë pronarin Lekë Vuksani. Ai është ngjitur në shtëpinë e Petrit Vuksani duke e ekzekutuar atë në banesë. Kemi dhe një konfirmim zyrtar nga policia, e cila ka deklaruar që është bërë dhe identifikimi i autorit të dyshuar. Aktualisht policia është duke punuar për kapjen e tij”.

“Sa i përket dinamikës, mësohet se Petrit Vuksani kishte 1 muaj që ishte kthyer nga Britania e Madhe ku jetonte dhe ka kërkuar që t’i lirohet banesa. Mesa duket një gjë e tillë ka hasur kundërshtinë e autorit të ngjarjes. Ndonëse kanë të njëjtin mbiemër nuk konfirmohet nëse janë kushërinj apo jo”, tha gazetarja Emi Kalaja.

Autori shkoi i armatosur në shtëpinë dy katëshe ku jetonte viktima, duke e qëlluar atë për vdekje. Në momentin e ngjarjes, sipas gazetares, Vuksani ndodhej i vetëm në banesë. Ai ishte baba i dy fëmijëve.

(Në video shtëpia 2 katëshe ku jetonte viktima)

Prezent në vendin e ngjarjes pas krimit ka qenë edhe drejtori i Policisë së Shkodrës, Ervin Hodaj.

“Rreth orës 12:15, në lagjen “Tom Kola”, në rrethana ende të paqarta, në banesë, është vrarë me armë zjarri shtetasi P. V., 51 vjeç. Shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor kanë shkuar menjëherë në vendngjarje. Janë ngritur pika kontrolli dhe po ushtrohet kontroll në zonë për kapjen e autorit të dyshuar. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, si dhe për sigurimin e çdo prove, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit”, tha policia e Shkodrës në njoftimin paraprak për ngjarjen./tvklan.al

(Gazetarja Emi Kalaja sjell edhe pamjet e para nga vendi i ngjarjes)

(Raportim paraprak për ngjarjen)