Kandidati republikan Donald Trump u zhvendos të dielën në një vend të sigurtë pas një incidenti me të shtëna arme zjarri pranë fushës së golfit në West Palm Beach të Floridës.
Policia vendore u tha mediave se dy vetë shkëmbyen zjarr jashtë fushës së golfit, e cila u mbyll menjëherë pas të shtënave. Sipas mediave amerikane, Trumpi, ishte duke luajtur golf sot në resort, i cili ndodhet pak metra larg nga rezidenca e tij kryesore, Mar-a-Lago.
Ekipi i fushatës, tha se Trump-i është i sigurt, por nuk dha më shumë hollësi rreth incidentit.
“Presidenti Trump është i sigurt pas të shtënave me armë zjarri në afërsi të tij. Nuk ka hollësi të tjera për momentin”, thuhet në deklaratë të shpërndarë menjëherë pas incidentit.
Shërbimi Sekret, agjencia amerikane që merret me sigurinë e jetës së personaliteteve, e ka rritur nivelin e mbikëqyrjes pas atentatit të 13 korrikut, ku zoti Trump mbeti i plagosur lehtë. Shërbimi Sekret konfirmoi në një postim në X se “incidenti” po hetohet. Ai ndodhi pak para orës vendore 14:00.
Ky incident ndodh dy muaj pas atentatit ndaj kandidatit republikan për president. Atentati i 13 korrikut në Pensilvani ndodhi vetëm disa muaj përpara zgjedhjeve presidenciale të 5 nëntorit, ku ai do të përballet me zëvendëspresidenten demokrate Kamala Harris.
Dy muaj më parë, i riu i armatosuri Thomas Matthew Crooks qëlloi me breshëri ndaj Trumpit gjatë një tubimi në Butler. Një prej plumbave kapi veshin e ish-presidentit.
Klan News