Dy persona kanë mbetur të vrarë nga një atentat i mirëorganizuar në autostradën e Vlorës. Viktimat udhëtonin me një makinë tip Benz kur u qëlluan me breshëri kallashnikovi nga një tjetër automjet në lëvizje.

Si pasojë e të shtënave, automjeti humbi kontrollin dhe doli nga rruga duke rënë në një kanal në afërsi të mbikalimit të Panajasë.

Ngjarja fillimisht u dyshua si aksident për shkak se makina u konstatua e rënë në kanal. Por brenda mjetit u panë trupat e dy personave të vrarë. Sipas policisë, viktimat janë Geno (Shpati) Lena 37 vjeç dhe Hakim Xhezo 34 vjeç.

Mendohet se atentatorët kanë qenë 3 persona; njëri në rolin e shoferit të mjetit ndërsa dy të tjerët në rolin e qitësit duke hapur zjarr me breshëri ndaj makinës së viktimave.

Disa minuta pas krimit, në Frakull të Fierit u gjet një makinë duke u djegur, që dyshohet se u përket atentatorëve të Vlorës.

Policia dyshon se vrasja ka ndodhur për hasmëri. Shpati Lena dhe vëllai i Hakim Xhezos, Eduart Xhezo, në vitin 2019 kanë qenë të akuzuar për përfshirje në vrasjen e biznesmenit Arben Beqiraj.

Në vendngjarje ndodhet policia duke kryer veprimet hetimore në zonë. Për shkak të aksidentit në autostradë u krijua radhë e gjatë automjetesh që shkojnë drejt qytetit bregdetar të Vlorës.

Shpati Lena u arrestua 5 muaj më parë, Xhezo vëllai i autorit të vrasjes në 2019

Geno Lena alias Shpati Lena 37 vjeç dhe Hakim Xhezo 34 vjeç janë dy viktimat e atentatit në Vlorë pranë mbikalimit të Panajasë. Ata janë emra të njohur për policinë.

Shpati Lena është arrestuar 5 muaj më parë, konkretisht më 23 Mars 2022 në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë, pasi udhëtonte makinë së bashku me 2 persona të tjerë të armatosur. Njëri nga këta ishte Ariel Kingji 21 vjeç, i cili ishte shpallur në kërkim prej Gushtit 2019 si një nga bashkëpunëtorët në vrasjen e biznesmenit Arben Beqiraj. Edhe Shpati Lena u akuzua për këtë ngjarje të Gushtit 2019, si personi që ndihmoi të fshihej Ariel Kingjin. Por gjykata e la të lirë Shpati Lenën në masën detyrim paraqitje.

(VIDEO E AKSIONIT TË POLICISË SË VLORËS NË MARS 2022 KUR ARRESTOI PËR ARMËMBAJTJE SHPATI LENËN DHE 2 PERSONA TË TJERË)

Ndërsa Hakim Xhezo 34 vjeç është vëllai i Eduart Xhezos, ky i fundit i akuzuar si autori kryesor për vrasjen e Arben Beqirajt në Gusht 2019 në Vlorë. Eduart Xhezo u arrestua në Tetor të 2019 në Durrës nën efektin e lëndëve narkotike.

Vrasja në zonën e plazhit në Vlorë në 4 Gusht 2019 tronditi vendin në kulmin e sezonit turistik. Shkaku ishte krejtësisht banal. Një person me kalë kishte kaluar në hapësirën e çadrave që menaxhohej nga viktima Arben Beqiraj. Ai u dhunua nga biznesmeni dhe djali i tij, por disa orë më pas, në lokal mbërritën 4 persona, që sipas policisë kanë qenë Eduart Xhezo, Ariel Kingji dhe 2 vëllezër.

Tentativa për t’u sqaruar ka vijuar me tone të larta derisa është qëlluar me breshëri armësh ndaj biznesmenit Arben Beqiraj i cili humbi jetën menjëherë, ndërsa djali i tij dhe një i afërm i tyre mbetën të plagosur. Eduart Xhezo, vëllai i Hakim Xhezos që u vra sot, u konsiderua si autori kryesor i ngjarjes. Aktualisht ndodhet në burg. 

Megjithatë, nuk dihet nëse vrasja e sotme e Shpati Lenës dhe Hakim Xhezos lidhet me ngjarjen e vitit 2019. Policia nuk përjashton nga hetimi as pista të tjera dhe po verifikon skedat e viktimave nëse kanë patur konflikte të tjera. 

Burime nga policia thonë se Shpati Lena ishte person me precedent penal në fushën e krimit kundër personit dhe prodhim e shitje të lëndëve narkotike. Ndërsa Hakim Xhezo ka patur precedent penal për armëmbajtje pa leje dhe prodhim e shitje narkotikësh.

Policia e Vlorës jep informacion zyrtar: Atentatorët me makinë BMW, brenda u gjetën 3 kallashnikovë

Policia e Vlorës njofton zyrtarisht se autorët e vrasjes së dyfishtë në autostradë pranë Panajasë përdorën një automjet BMW pa targa.

Sipas policisë, makina BMW u gjet e djegur në fshatin Çerven në aksin Levan-Tepelenë. Brenda makinës u konstatuan 3 kallashnikovë.

Ndërsa viktimat që u ekzekutuan nuk janë identifikuar ende.

NJOFTIMI I POLICISË SË VLORËS, ORA 10:50

Sot, rreth orës 09:50, në dalje të fshatit Panaja, në aksin rrugor Fier-Vlorë, në rrethana ende të pa qarta, dyshohet se janë vrarë me armë zjarri, dy shtetas ende të paidentifikuar, të cilët ndodhen brenda një automjeti tip “Benz”.

Gjatë krehjes së zonës, në fshatin Çerven, në aksin rrugor Levan-Tepelenë, nga shërbimet e Policisë është konstatuar duke u djegur një automjet i braktisur tip “BMW” me targa italiane i cili paraprakisht dyshohet se mund të jetë i autorit/ve të ngjarjes.  Nga kqyrja paraprake e automjetit dallohen në brendësi të tij, 3 armë zjarri automatike.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë ndodhet në vendin e ngjarjes, ku vijon puna për zbardhjen dhe dokumentin e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve, si dhe identifikimin e dy shtetasve të gjendur pa shenja jete.

Shërbimet e Policisë së DVP Vlorë, Delta Forcës e FNSH-së, në bashkëpunim me DVP Fier  kanë  ngritur pika kontrolli  dhe po krehin zonën  për të bërë të mundur kapjen e autorëve.

/tvklan.al