Një atentat me armë zjarri ka lënë të vrarë babain dhe ka plagosur djalin. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Shosh të Dukagjinit.
Sipas policisë, viktima është Zef Guri, ndërsa i plagosur djali i tij Gjin Guri. Ky i fundit u dërgua në spital për ndihmë mjekësore. Policia u njoftua për ngjarjen përmes një telefonate në orën 18:45.
Në Dukagjini shkuan edhe drejtues të lartë të Policisë së Shtetit dhe të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, shërbime të Repartit Special RENEA dhe FNSH-së, ekspertë kriminalistë dhe specialistë për Hetimin e Krimeve të Rënda nga Departamenti për Policinë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, me qëllim zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.
I plagosuri Gjin Guri rezulton person me precedent penal. Ai është akuzuar se ka qenë një nga personat që qëlloi me armë drejt helikopterit të policisë në fshatin Shosh të Dukagjinit gjatë një aksioni antikanabis disa vite më parë. Gjin Guri u arrestua nga policia në Shtator 2015.
Pas daljes nga burgu, Guri vijoi aktivitetin në lokalin e tij, ndërsa bën edhe transport pasagjerësh me furgon në linjën Shkodër-Dukagjin dhe anasjelltas.
Nëntorin e vitit 2021, Gjin Gurit iu vendos një sasi tritoli tek lokali i tij në Shosh.
NJOFTIMI PARAPRAK I POLICISË SË SHKODRËS:
Rreth orës 18:45, në sallën operative të Policisë Shkodër ka ardhur një telefonatë se në malin e Shoshit, ishin plagosur me armë zjarri shtetasit Gj. G. dhe Z. G.
Shtetasi Gj. G. po transportohet në spital, për ndihmë mjekësore, ndërsa shtetasi Z. G. ka humbur jetën disa minuta pasi ka ndodhur ngjarja.
Në drejtim të Dukagjinit janë nisur drejtues të lartë të Policisë së Shtetit dhe të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, shërbime të Repartit Special RENEA dhe FNSh-së, ekspertë kriminalistë dhe specialistë për Hetimin e Krimeve të Rënda nga Departamenti për Policinë Kriminale në DPPSh, me qëllim zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.
Me mbërritjen e shërbimeve dhe grupit hetimor, në vendngjarje, dhe pasi të sqarohen rrethanat e ngjarjes, do të ketë një njoftim tjetër.
I plagosuri transportohet në Spitalin e Traumës në kryeqytet
Gjin Guri që mbeti i plagosur nga atentati në fshatin Shosh të Dukagjinit, është transportuar për në Spitalin e Traumës në kryeqytet.
Guri është në gjendje të rëndë për jetën. Sipas mjekëve, ai ka marrë 1 plumb në qafë dhe 4 plumba në trup.
Për këtë arsye është dërguar drejt kryeqytetit për mjekim më të specializuar.
Kujtojmë se nga atentati në Dukagjin mbeti i vrarë babai i tij Zef Guri.
/ tvklan.al