Elton Javori, 41-vjeç, mbeti i vrarë me armë zjarri paraditen e kësaj të enjteje në Fier. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 11:00 në lagjen “16 Prilli”, e njohur ndryshe si lagjia e Backallinjve, në rrethana momentalisht të paqarta.


Në një informacion zyrtar për mediat, policia e Fierit tha se ka mundur të identifikojë autorin e dyshuar dhe po punon për kapjen e tij. Ai është Agim Gashi, 35-vjeç, banor i Fierit.


Autori i dyshuar lëvizte me këtë makinë e cila u filmua nga kamerat e sigurisë në zonë, teksa largohej nga vendi i ngjarjes. Kamerat po ashtu rezultojnë të kenë filmuar të gjithë krimin e rëndë.

Makina e autorit të dyshuar të ngjarjes

Paraprakisht, gazetarja Anila Sefa nga burimet mëson se 1 javë më parë mes viktimës dhe autorit ka pasur një debat verbal, për arsye ende të panjohura.

Gashi iu afrua me makinë Javorit duke e qëlluar me pistoletë dhe më pas u largua nga vendi i ngjarjes.


“Rreth orës 11:00, në lagjen “16 prilli”, është vrarë me armë zjarri shtetasi Elton Javori, 41 vjeç, banues në Fier. Shërbimet e Policisë, sapo kanë marrë njoftim, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, kanë identifikuar autorin dhe po punojnë për kapjen e tij. Janë ngritur pika kontrolli në çdo aks rrugor, si dhe vijon intensivisht krehja e zonës. Ndërkaq, grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe kapjen e autorit“, tha policia në një informacion parapra për mediat.


Për ngjarjen reagoi edhe kreu i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku.

“Janë marrë të gjitha masat për kapjen e autorit. Tashmë e kemi të identifikuar autorin, po punohet për sqarimin e rrethanave dhe motiveve që kanë çuar me këtë krim të rëndë. Ju siguroj që brenda një kohe të shkurtër, Policia e Shtetit, në lidhje me rastin do të vejë para drejtësisë autorin e kësaj ngjarje të rëndë”, tha Rrumbullaku i pyetur nga gazetarët gjatë një konference për mediat.


Viktima kishte rreth 3 muaj që ishte kthyer nga Gjermania. Ai nuk rezulton me precedentë penale, megjithatë gazetarja Sefa mëson se 41-vjeçari ishte nipi i Demir Backës (Lexo më shumë). Ky i fundit, vëlla i ish-anëtarit të bandës së Fierit, u vra me breshëri plumbash më 23 Tetor të 2021-it pranë një qendre tregtare në Fier.

Duke cituar banorët e zonës, gazetarja tha se Elton Javori jetonte rreth 100 metra nga vendi ku u ekzekutua (Lexo më shumë).

/tvklan.al