Në qendrën e votimit, në shkollën 9-vjeçare “28 Nëntori” ka ndodhur një konflikt që ka përfunduar jashtë perimetrit të sigurisë.

Në njoftimin e Policisë së Kurbinit për mediat mësohet se dy qytetarë të identifikuar si K.P., dhe A.Ll., janë konfliktuar verbalisht me njëri tjetrin.

Policia është njoftuar me anë të një telefonate se ka pasur të shtëna me armë zjarri, por në vendngjarja nuk janë gjetur gëzhoja armë zjarri.

Ndërkohë policia po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Megjithatë, pavarësisht kësaj ngjarje, procesi i votimit ka vijuar normalisht.

Njoftimi i Policisë Kurbin:

Në Fushë Milot, jashtë perimetrit të  qendrave të votimit, ka ndodhur një konflikt verbal mes dy shtetasve, ku, sipas një telefonuesi, është dëgjuar një zhurmë e ngjashme si e shtëna me armë zjarri.

Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë, ku nga këqyrja e vendit të ngjarjes nuk është gjetur asnjë gëzhojë apo send tjetër i kundërligjshëm.

Në vijim të veprimeve hetimore, janë identifikuar personat e përfshirë në konflikt, konkretisht shtetasit K. P. dhe A. Ll., dhe po punohet për lokalizimin dhe shoqërimin e tyre.

Procesi i votimit vazhdon normalisht në të gjitha qendrat e votimit dhe nga KQV-të apo Koordinatorët e sigurisë, nuk është kërkuar ndërhyrja e policisë.

Grupi hetimor, i ndodhur në vendngjarje, po vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Informohuni në zgjedhje.tvklan.al për të dhënat rreth pjesëmarrjes së votimit çdo orë, dhe krahasimeve me zgjedhjet e mëparshme parlamentare./tvklan.al