Një person është plagosur me armë zjarri mbrëmjen e sotme në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur në rrugën “5 Maji” rreth orës 21:26.

Tvklan.al mëson nga burimet policore se i plagosuri është 30-vjeçari Rexhep Gjeli. Ai ka marrë një plumb në këmbë dhe ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë, Policia e Tiranës ka identifikuar autorin e dyshuar. Ai është Kevin Cungu, i cili është shpallur në kërkim.

Shkaqet dhe rrethanat e ngjarjes janë të paqarta. Grupi hetimor po punon për të zbardhur dinamikën e plagosjes me armë.

Nga hetimet e deritanishme bëhet me dije se i plagosuri dhe autori i dyshuar janë shokë me njëri-tjetrin. Ata kanë qenë së bashku në lokal në një tavolinë dhe u përfshinë në një sherr të çastit. Pasi dolën jashtë lokalit për t’u sqaruar, Kevin Cungu e qëlloi me pistoletë në këmbë 30-vjeçarin.

Informacioni paraprak i Policisë së Tiranës:

Më datë 11.09.2020, rreth orës 21:26, në fund të rrugës “5 Maji”, pas një konflikti të çastit, për motive të dobëta, dyshohet se shtetasi me iniciale K. C, ka plagosur me armë zjarri pistoletë në këmbë shtetasin R.Xh., 30 vjeç, i cili u dërgua në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve jashtë rrezikut për jetën

Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe falë veprimeve të shpejta kanë bërë identifikimin e autorit të dyshuar. Policia ka rrethuar zonën dhe vijon krehja e saj për kapjen e autorit, i cili menjeherë pas plagosjes është larguar nga vendngjarja .

Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe fiksimin e çdo prove materiale që do ti shërbejë hetimit dhe dokumentimit të plotë të ngjarjes. /tvklan.al