Tetë persona, mes tyre edhe 2 fëmijë, anëtarë të një familje, janë ekzekutuar me gjakftohtësi nga një 24-vjeçar në Selenicë të Vlorës. Ngjarja ndodhi rreth orës 18:00 të së premtes në fshatin Resulaj të qytetit bregdetar.

Autori i krimit, 24-vjeçari Ridvan Zykaj, ekzekutoi me “Kallashnikov” kushërinjtë e tij, anëtarë të dy familjeve. Viktimat janë dy vëllezërit Azem Zykaj 45 vjeç, Besim Zykaj 43 vjeç, bashkëshortet e tyre Aferdita Zykaj 42 vjeçe Vasilika Zykaj 42 vjeçe, prindërit e tyre Demir Zykaj 75 vjeç, Perije Zykaj 72 vjeçe dhe fëmijët Sara Zykaj 16 vjeçe dhe Ledion Zykaj 8 vjeç.

Pas ngjarjes autori i krimit, Ridvan Zykaj është larguar nga vendngjarja dhe dyshohet se është fshehur në malësi të fshatit Resulaj. Dyshohet se shkak i kësaj masakre është bërë një konflikt pronësie.

Një tjetër pistë e hetimit, është ajo që autori dyshohet se vuan nga probleme mendore. Por të afërm të familjes Zykaj thonë se nuk kishin dëgjuar për probleme mendore për të riun.

24-vjeçari pasi ka ekzekutuar dy gjyshërit dhe xhaxhain e tij, i është drejtuar banesës të familjes së xhaxhait tjetër që ndodhej disa metra me tutje.

Forca të shumta policie të të Drejtorisë së Policisë së Vlorës, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, si dhe dy helikopterë të Policisë së Shtetit po krehin zonën për kapjen e 24-vjeçarit të armatosur me dy armë i cili konsiderohet tejet i rrezikshëm.

Gjithashtu janë marrë në pyetje familjarë të autorit si dhe të afërm të tij. Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për lokalizimin e autorit.

3 autoambulanca dërguan trupat e pajetë të 8 personave në morgun e Spitalit Rajonal të Vlorës. Forca të shumta të policisë kanë ngritur edhe postblloqe në hyrje dhe daljet të fshatit Resulaj të Vlorës.

Tv Klan