Një 26-vjeçar ka mbetur i vrarë mbrëmjen e kësaj të hëne në kryeqytet. Ngjarja ndodhi në zonën e Tiranës së Re, në rrethana ende të paqarta. Burime bëjnë të ditur se viktima është Jurgen Kurti. Ai u ekzekutua me të paktën 3 plumba poshtë banesës së tij.

“Rreth orës 22:20, në rrugën “Zef Jubani”, në rrethana ende të paqarta është vrarë me armë zjarri shtetasi J. K., rreth 26 vjeç. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve. Sherbimet e Policisë po krehin zonën si dhe janë ngritur pika kontrolli për kapjen e autorit/eve”, 

thotë policia në një njoftim paraprak për mediat.

Jurgen Kurti nuk është një emër i panjohur për drejtësinë, por edhe për opinionin publik. 26-vjeçari ka qenë protagonist në dy vrasje. Në 2016-n, ai u arrestua sëbashku me dajën e tij për vrasjen e të atit, por u la i lirë pasi daja pranoi krimin. Ndërsa një vit më vonë, në 2017-n, ai ishte pjesë e një sherri ku i vrarë mbeti pronari i një marketi në qytetin e Durrësit.

Kjo është vrasja e dytë që ndodh në Tiranë në harkun kohor prej 2 ditësh. Pasditen e së shtunës, një 62-vjeçar u vra në kodrat e liqenit artificial, ndërkohë që kishte dalë për vrap.

/tvklan.al