Dhjetëra pushues largohen të terrorizuar nga ngjarja

Personi në këtë foto është një nga atentatorët që qëlluan me breshëri armësh në drejtim të makinave dhe dritareve të hotel “Voloreka” në Pogradec mëngjesin e kësaj të shtune.

Kamerat kanë filmuar dy persona të maskuar me kapuçë që derdhin breshëri plumbash duke terrorizuar burra, gra dhe fëmijë që kishin zgjedhur të pushonin këtë fundjavë në Pogradec dhe janë zgjuar të tmerruar.

Atentatorët ishin dy persona të armatosur që janë afruar rreth orës 5:00 të mëngjesit dhe i kanë kërkuar rojes së hotelit të largohet, siç tregon pronari Jetmir Muçllari.

Objektivi i atentatit mendohet të ketë qenë djali i Jetmir Muçllarit. Drejt dhomës ku flinte ai u qëllua pjesa më e madhe e plumbave.

“Dëgjuam zhurmë, djali po vinte me zvarritje. Policia reagoi me shumë vëmendje”.

Këto pamje të filmuara nga kamerat e sigurisë se hotel “Voloreka” janë të datës 1 Gusht. Një javë më parë drejt hotelit është qëlluar sërish, por policia nuk ka mundur t’i arrestojë autorët.

“I dinë ata deri diku ku i kanë dhe grupin e tyre që rrinë bashkë”.

Të terrorizuar nga ngjarja, pushuesit në hotel thanë se breshëritë e kallashnikovit zgjatën për disa minuta duke u vënë në rrezik jetën. Pasi janë marrë në pyetje nga policia, ata kanë nisur të largohen nga Pogradeci.

Hoteli është në pronësi të Emanuela dhe Jetmir Muçllarit. Këtij të fundit në vitin 2013-të i është bërë atentat me armë.

Tv Klan