Në pranga Gëzim Haroku, në kërkim Erigers Mihasi

15 armë, 10 granata dore, 10 detonatorë dhe 10 kallëpe me tritol u gjetën në këtë banesë në zonën e Yrshekut. Shkak i kontrolleve të policëve të Komisariatit Nr. 6 u bënë disa të shtëna me armë në drejtim të kompleksit Eifel, pak ditë më parë.

Mes armëve të sekuestruara bien në sy 7 kallashnikovët, të cilët do ekzaminohen nëse janë përdorur në ndonjë ngjarje kriminale. Është zbuluar edhe 1 mitraloz i lehtë, si dhe 2 automatikë MP7, që futen tek armët e rënda.

Në pranga ka rënë Gëzim Haroku, personi që duket në këtë foto, i dyshuar si pjesë e një grupi kriminal në Tiranë, thotë policia. Në kërkim për këtë ngjarje është shpallur Erigers Mihasi, një emër i njohur për drejtësinë.

Ai është arrestuar si një nga personat që dyshohet se grabiti banesën e prindërve të Elton Çiços, të vrarë në Tiranë më 1 Maj 2016-të. Po kështu Erigers Mihasi është një ndër personat që u pyet për ngjarjen në ish-Bllok, ku mbeti i vrarë Fabian Gaxha.

Grupi hetimor shpreson që të gjenden gjurmë në këto armë, që mund të zbardhin disa prej vrasjeve që kanë ndodhur në Tiranë dhe Durrës vitet e fundit. Po kështu po hetohet edhe lidhje me ngjarjet kriminale që kanë ndodhur në Elbasan.

Tv Klan