Gjatë konferencës së përjavshme për mediat, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha foli edhe për ngjarjen e ndodhur të hënën në Kurbin, ku një konflikt u bë shkak për përdorimin e armës në mbledhjen e PD. Berisha tha se Komisioni Elektoral i PD ka vendosur masa disiplinore ndaj dy kandidatëve dhe theksoi se kushdo që mendon për mënyra të tjera përveç votës në procesin e primareve, gabon shumë rëndë.

“Në tërësi procesi i primareve ka ecur normalisht. E shfrytëzoj rastin për të përshëndetur të gjitha degët për kontributin e tyre në këtë proces. Ka patur një problem serioz në degën e Kurbinit. Në dijeninë time, komisioni elektorali PD ka vendosur masa disiplinore ndaj 2 kandidatëve. Cilido që mendon për mënyra të tjera përveç votës në këtë proces, gabon shumë rëndë. Shkelmon vullnetin e tij në radhë të parë dhe gjithë demokratëve që duan të votojnë dhe të bëhen shembull në këtë proces demokratik”.

Një debat gjatë mbledhjes së Partisë Demokratike në Kurbin çoi në përdorimin e armës pasditen e së hënës. Shkak u bë një konflikt mes nënkryetarit të PD, Kastriot Marku dhe kandidatit për primare të Kurbinit, Vani Rica. Ishte pikërisht 53-vjeçari Rica i cili qëlloi me armë zjarri në korridoret e degës së PD në Laç. Ai u arrestua nga policia pak kohë pas ngjarjes, ndërsa këtë të premte gjykata vendosi ta lerë në masën detyrim paraqitje./tvklan.al