Emisioni Uniko nga Spartak Koka në Klan Plus ka analizuar mbrëmjen e sotme të gjithë dinamikën e vrasjes së 71-vjeçarit Lefter Zhidru në Elbasan më 24 Shtator.

Drejtuesi i emisionit, Spartak Koka ka qenë në vendngjarje ditën kur Zhidru qëndroi i mbyllur për 5 orë brenda banesës së tij në lagjen “11 Nëntorit”, nën rrethimin e policisë dhe forcave speciale të RENEA-s.

Fillimisht negociatat  me të armatosurin i udhëhoqi drejtori i Elbasanit Arjan Muçaj, ndërsa Zhidru refuzonte të dorëzohej.

Por raportimi në mediat informative rreth personalitetit të Lefter Zhidrus dhe të dhënat që e cilësonin si të çmendur, e nervozuan më shumë  të moshuarin që nga dritarja e ballkonit  nxirrte kokën dhe bërtiste se ai nuk ishte i çmendur dhe se ajo çfarë thuhej ishte shpifje. Në irritim e sipër ai lëshoi dhe disa kallëpe ngjyrë portokalli që fillimisht nga banorët dhe policia u menduan si tulla.

Të gjendur në vështirësi pasi negociatat po dëmtoheshin nga raportimi i mediave, grupi drejtues i negociatorëve të RENEA-s kërkoi ndërprerjen e energjisë elektrike në zonë, që Zhidru të mos kishte mundësinë për të parë më televizor.

Grupet taktike të RENEA-s provuan një mënyrë tjetër, atë të përdorimit të vajzës 14-vjeçare e cila foli për disa minuta me babain e saj në telefon për ta bindur që të dorëzohej.

Përpjekjet e njëpasnjëshme po dështonin. Lefter Zhidru ishte i inatosur me të gjithë, që nga familja, komshijtë, policia, gjykatat dhe qeveria. Ai akuzonte se nuk ka shtet, etiketonte Kryeministrin si dhe fliste gjithë kohës se s’ka drejtësi.

Lefter Zhidru ishte i vendosur që të përballej deri në fund, por askush nuk e dinte se ç’lloj armatimi dhe municioni posedonte ai në banesë.

Snajperistët e pozicionuar në kënde të ndryshme  kishin vënë nën shenjestër apartamentin e Zhidrus.

Fjalia e fundit para ndërhyrjes ishte “Lefter ne nuk largohemi pa ty”. Ndërsa ky i fundit i është përgjigjur me të shtëna.

Pas urdhërit për ndërhyrje, u përdorën njëkohësisht tymuese, gas lotsjellës, neuro-paralizuese  si dhe goditja me tokmak.

Lefter Zhidru brenda pak sekondash ishte ekzekutuar. “Rruga e pastër”, ishte kodi për të konfirmuar se ai ishte eleminuar. I shtrirë në dyshemenë e dhomës pranë ballkonit dhe me kallashnikovin pranë vetes, 71-vjeçari ishte eleminuar me dy plumba. Një plumb në gjoks dhe një në kokë.  /tvklan.al