MSH: Mos mbani të fshehtë informacionin e lëvizjeve, rrezikoni të infektoni personelin shëndetësor

Zv/ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli ka bërë me dije se numri i të infektuave me koronavirus në vendin tonë, ka shkuar në 51, ndërsa janë testuar në total 563 të dyshuar.

Ajo tha se nga këto raste të infektuarish janë të shpërndarë: Tiranë 34 raste, Durrës 5 raste (njëri prej të cilëve ka ndërruar jetë) Lushnje 2 raste, Elbasan 2 raste, Fier 6 raste Rrogozhinë 2 raste.

20 prej tyre janë të shtruar në spitalin Infektiv, ndrërsa tre janë në terapi intensive, njëri prej të cilëve në respiracion të drejtuar.

Sakaq nga testimi që u është bërë mjekëve dhe infermierëve të spitalit “Shefqet Ndroqi”, kanë dalë pozitiv edhe 4 raste, një mjek dhe 3 infermierë, të cilët kanë qenë në kontakt me pacientin, i cili aktualisht po trajtohet në spitalin infektiv dhe që më herët ka qenë i shtruar në spitalin “Shefqet Ndroqi”.

“Siç ju kemi njoftuar, nga gjurmimi i kryer, ky pacient është vizituar në spital nga një i afërm që vinte nga Italia dhe që nuk e ka dhënë këtë informacion tek stafet mjekësore. Personeli është në gjendje të mirë shëndetësore, pa simptoma dhe i vetëkarantinuar. Instituti i Shëndetit Publik po vazhdon pa u ndalur hetimi epidemiologjik dhe testimi i rasteve të dyshuara”.

Ndërkaq ajo u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos u fshehin mjekëve historikun e udhëtimeve.

“Jepuni informacion të hollësishëm stafeve mjekësore! Nëse mbani të fshehtë informacionin e lëvizjeve tuaja nga personeli shëndetësor, rrezikoni të infektoni personelin dhe të afërmit tuaj. sot është detyrim që të mbrojmë personelin shëndetësor. Ju lutem qytetarë: Shmangni vajtjet direkte në spitale. Qëndroni në shtëpi! Respektoni rregullat e reja! Një thirrje sidomos për të moshuarit mbi 70 vjeç: Ju lutem mos dilni nga shtëpitë!”/tvklan.al