Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu në një video-mesash ka prezantuar planin e masave deri më 18  Maj.

 “Jemi në një moment shumë të rëndësishëm dhe përcaktues për vijimin e situatës epidemike në vend. Nga vlerësimi i vazhdueshëm i të dhënave epidemiologjike, konstatohen ende vatra aktive infeksioni, në disa zona të vendit, ku po punohet intensivisht nëpërmjet testimit dhe gjurmimit agresiv të kontakteve. Strategjia e ri-ihapjes e hartuar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, parashikon disa faza të lehtësimit të ngadaltë dhe të kujdesshëm të masave shtrënguese”, tha Manastirliu.

18 bashki të tjera përfshihen në zonën e gjelbër

Ministrja e Shëndetësisë ka njoftuar përfshirjen në “zona të gjelbërta” edhe të 18 bashkive të tjera në vend që konsiderohen më risk të ulët për përhapjen e infeksionit.

Nga data 4 Maj do të përfshihen si zona të gjelbërta bashkitë: Tropojë,Rrogozinë, Peqin, Belsh, Cërrik, Gramsh, Ura Vajgurore, Kucovë, Berat, Poliçan, Skrapar, Devoll, Pustec, Maliq, Mallakastër, Kolonjë, Vlorë, Selenicë.

Duke theksuar se ky vendim është marrë në përputhje me ecurinë e kurbës epidemiologjike dhe indikatorëve të sistemit shëndetësor si dhe duke u bazuar në nivelet e riskut, Manastirliu tha se “zonat e gjelbërta” do të kenë të njëjtat rregulla të lëvizjes dhe fashave orare tashmë të percaktuara për këto zona”.

Sipas këtyre rregullave pensionsitët në këto zona mund të lëvizin nga ora 6:00 deri në 8:30 të mëngjesit, ndërsa qytetarët e tjetër mund të lëvizin nga ora 9:30 deri në 17:30 të shoqëruar jo më shumë se një person.

Përjashtim bëjnë qytetarët që kanë autorizim punë të cilët nuk kufizohen nga këto orare.

Automjetet me autorizim mund të lëvizin brenda dhe jashtë qarkut

Rregullat përfshijnë dhe mjetet private të transportit që do të lejohen të qarkullojnë me autorizim vetëm brenda qarkut ose bashkisë përkatëse nga ora 9:30 deri në 17:30 vetëm me një pasagjer. Përtej orarit të caktuar mund të qarkullojnë vetëm mjetet që kanë autorizim në e-Albania.

Manastirliu tha se duke filluar nga data 4 maj do të lejohen dy pasagjerë familjarë në shërbimin taksi ndërqytetas.

“Nga data 4 do të lejohet shërbimi taksi, në të gjithë territorin, duke zbatuar protokollin e sigurisë me deri në dy pasagjerë, anetarë të të njëjtës familje për udhëtimet ndërqytetase”, tha Manastirliu.

Vetëkarantinim për personat që vijnë nga jashtë

Më tej ministrja Manastirliu bëri të ditur se se vetëkarantinimi i personave që vijë nga jashtë dhe që jetojnë në zonat e kuqe do të vijojë dhe do të ketë një monitorim tē rreptë nga ana e sturkturave më qëllim zbatimin e masave.

“Duke filluar nga data 4 Maj, personat që do të riatdhesohen dhe që janë me banim ne zonat e kuqe do të vetekarantinohen në banesë me kushte strikte dhe nën monitorim të rreptë. Ndërsa të riatdhesuarit që banojnë në zonat jeshile do të vijojnë karantinën në strukturat akomoduese të percaktuara” tha Manastirliu.

Manastirliu ritheksoi se nëse gjatë ketyre dy javëve do të vihet re, që kushtet dhe situata do të pesojë ndryshime, për shkak të rihapjes, do të duhet të ri-kthehemi ne situatën e mbylljes së detyrueshme.

Bizneset që rihapen nga 11 Maji

Në vijim të prezantimit të strategjisë së rihapjes graduale, Manastirliu deklaroi se prej datës 11 Maj do të lehtësohen një grup tjetër biznesesh, siç janë parukeritë, berberë, dentistë dhe dyqane në qendra tregtare, të cilat do të hapen me protokolle rigoroze sigurie.

“Në planin tonë të dy javëve që do të pasojnë, duke filluar nga data 11 Maj e në vijim, planifikojmë të vijojmë me disa lehtësime masash, por me protokolle rigoroze sigurie për një grup tjetër biznesesh, siç janë parukeritë, berberë, dentistë dhe dyqane në qendra tregtare. Nga java që nis do të njihen me protokollet specifike dhe do duhet që këto subjekte të marrin masa për organizimin e shërbimit me kushtet e reja”, tha Manastirliu.

Ministrja u shpreh se po vlerësohet edhe zgjerimi i lëvizjes së automjeteve pa autorizim, brenda qarqeve dhe fashave orare 05:00-17:30.

Nëse të dhënat janë të qëndrueshme mund të hapim baret dhe restorantet pas 18 Majit

Ministrja Manastirliu tha më tej se duke vlerësuar situatën dhe të dhënat sipas draft-planit, nga 18 Maji e në vazhdim do të vlerësohet hapja e njësive të shërbimit si bare dhe restorante, vetëm për mjediset e hapura.

“Në vijim të draft-planit, dhe e përsëris draft-plan pasi do të vlerësohet situata në dinamikë, nëse të dhënat do të jenë të qëndrueshme, bazuar në kriteret e përcaktuara nga ekspertët, nga 18 Maji e në vijim, sipas disa hapave të mëtejshëm, do të vlerësojmë dhe hapjen e njësive të shërbimit, bare e restorante, vetëm për mjediset e hapura sipas protokolleve të ruajtjes së distancës dhe kushteve higjeno-sanitare”, tha Manastirliu.

Manastirliu përsëriti se ky plan tentativë do t’i shërbejë njësive të shërbimit, bare dhe restorante për t’u përgatitur për organizime në kushte të reja të sjelljes dhe shërbimit.

Gjatë prezanimi të planit të ri-hapjes Manastirliu konfirmoi se kufizimet në këtë plan do të vijojnë për aktivitetet sportive, kulturore e sociale, grumbullimet me më shumë se 5 persona dhe që konsiderohen me risk të lartë. /tvklan.al