Politikanë nga e mbarë bota dënuan ashpër sulmet vdekjeprurëse në aeroportin e Kabulit.

Sekretari i Përgjithshëm i Nato-s Jens Stoltenberg e përshkruajti ngjarjen një sulm “të tmerrshëm terrorist” dhe tha se evakuimi i sa më shumë njerëzve mbetet prioriteti numër një.

Presidenti francez Emmanuel Macron, në një deklaratë dënoi me forcë këto sulme terroriste dhe shprehu vlerësimin për heroizmin e personave që ndodhen në terren duke vijuar me operacionet e evakuimit.

Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, Dominic Raac u zotua se “Britania nuk do të lejojë që ta ndalin akte të tilla burracake terroriste”.

Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez shprehu solidaritetin e thellë të qeverisë së tij për viktimat e shpërthimeve.

Teksa konfirmoi se nuk ka italianë në mesin e viktimave, Ministri i Jashtëm Italian, Luigi Di Maio tha se dënonte me forcë sulmet dhe shprehu ngushëllimet e tij.

Liderëve botërorë iu bashkua edhe Ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka, që dënoi me forcë ngjarjen dhe rikonfirmoi qëndrimin e Shqipërisë për të garantuar sigurinë e aleatëve afganë.

Ndërkohë, pritet që për ngjarjen të flasë edhe Presidenti amerikan Joe Biden.

Më shumë se 60 persona, 12 prej tyre shtetas të shërbimit amerikan mbetën të vrarë nga shpërthimet e kësaj të enjteje në Afganistan. Në qendër të sulmeve pranë aeroportit të Kabulit ishin qytetarët afganë që tentojnë të largohen drejt Shteteve të Bashkuara apo shtetas amerikanë të shërbimit.

Sulmet ndodhën pranë portës Abbey të aeroportit të Kabulit dhe afër një hoteli që njihej si vendqëndrim i britanikëve. Pas shpërthimeve kamikaze nisën breshëritë e armëve, që shkaktuan dhjetëra të vdekur të tjerë. Të plagosurit janë me qindra. Përgjegjësinë për sulmet i mori i ashtuquajturi Shteti Islamik./tvklan.al