Schengeni ballkanik, Vjosa Osmani: Dëmton shtetin e Kosovës

Vjosa Osmani, kandidatja e LDK-së për kryeministre në zgjedhjet që u zhvillua në Kosovë deklaroi se partia e saj nuk e përkrah nismën e re të Maqedonisë, Serbisë dhe Shqipërisë për një Schengen Ballkanik.

Gjatë një interviste këtë të mërkurë në emisionin “Opinion” në Tv Klan, ajo theksoi se ko nismë është bërë pa miratimin e shteteve të tjera të rajonit, në veçanti të Kosovës.

Sipas Osmanit, një nismë e tillë nuk i shërben aspak Kosovës. Përkundrazi kjo do të krijonte një dominancë ekonomike për Serbinë, që sipas Osmanit ka dëshmuar deri më sot që nuk i zbaton marrëveshjet që nënshkruan.

“Shqipëria do duhej së pari të ulej me Republikën e Kosovës dhe të diskutonte për këtë dokument 700 e ca pikësh”, deklaroi Osmani.  Gjithashtu ajon u shpreh se kjo iniciativë është ndërmarrë nga Presidenti Vuçiç dhe dëmton Kosovën.

Vjosa Osmani: Ky është një synim që të zëvendësohen mekanizma që tashmë ekzistojnë brenda BE-së të cilat i shërbejnë shteteve për t’u integruar.

Blendi Fevziu: Kush e ka këtë synim sipas jush?

Vjosa Osmani: Është e qartë që këtë synim e ka Vuçiçi.

Blendi Fevziu: Dhe pse përfshihen kryeministri i Shqipërisë dhe ai i Maqedonisë?

Vjosa Osmani: Unë besoj se përfshihen për shkak të një iniciative që do ta dëmtonte shtetin e Kosovës.

Blendi Fevziu: Ju mendoni që kryeministri i Shqipërisë po ndërmerr një iniciativë për të dëmtuar shtetin e Kosovës?

Vjosa Osmani: Nuk mendoj se është ndërmarrje e tij. Mendoj se është ndërmarrje e Presidentit Vuçiç dhe mendoj se ka qenë gabim për faktin se kam lexuar disa nga arsyet që i ka dhënë kryeministri Rama. Unë mendoj se duhet të ulemi si dy shtete dhe t’ia shpjegojmë më qartë si kryeministrit të Shqipërisë pse mendojmë se nuk është në interesin e Kosovës një nismë e tillë.

Blendi Fevziu: E shihni të dështuar si nismë apo mendoni që duhet diskutuar dhe parë konkretisht.

Vjosa Osmani: Ne tashmë duke parë rrethanat aktuale e shohim si një nismë të dështuar megjithatë besoj që patjetër do duhej të ulemi me kryeministrin e Shqipërisë dhe të mos shkëmbejmë akuza politike nga studiot televizive. /tvklan.al