Kryeministri Edi Rama ka treguar këtë të premte se si ka nisur krisja me Presidentin Ilir Meta. Ka qenë Reforma në Drejtësi që ka ndarë të dyja palët. Ai tregoi nga Skrapari, se si ka biseduar me Metën në shtëpinë e tij në Lalëz dhe Meta i ka deklaruar se nëse “flota amerikane të vijë këtu, t’i drejtojë tytat nga shtëpia ime ajo reformë nuk kalon’.

Por kreu i qeverisë tregoi se si kaloi reforma sepse përndryshe do të prishej mazhoranca. Kryeministri tregoi edhe si u bë President Ilir Meta.

“Ilir Metën e falenderoj sepse më ka bërë të njihem me një nga eksperiencat më të bukura që njihet në gjithë Shqipërinë me kanionet. Jam falenderues se ka qenë ai që më ka futur, si të thuash, në shtëpitë tuaja. Nuk do doja kurrë që gjërat mes Ilir Metës dhe familjes së madhe socialiste dhe progresiste të kishin arritur në këtë pikë. Në këtë pikë ku s’ka kthim mbrapa. Në vitin 2009, Skrapari, nuk e votoi, Skrapari, e bekoi Ilir Metën. I dha Metës një bekim shumë të madh në një betejë të cilën ai e nisi për arsye të asaj kohe dhe në një betejë ku u duk sikur partia që ai krijoi ishte aty për t’ju dhënë hapësirë dhe vend shumë njerëzve të mirë e të ndershëm, punëtorë, shumë të rinjve që nuk ndjeheshin mirë. Patjetër që në atë kohë sfida që bëri Meta ishte shumë e madhe dhe në atë sfidë ishte Skrapari fuqia që i dha atij një shtytje shumë të rëndësishme për të mos e humbur sfidën. Në atë kohë aty bashkë me të ishte edhe Spartaku. Në 2005 e kam fjalën. Ishin dhe shumë të tjerë. Pastaj gjërat ndryshuan, me ndikimin e Spartakut e të tjerëve, por edhe me dëshirën time për ti dhënë të majtës shqiptare dhe komunitetit socialist e progresist një mundësi të re. Ne u bashkuam. Ne u bashkuam dhe fituam. Pastaj përsëri u ndamë. Kthehem prapë te 2009 Ishte Skrapari që i tha qëndro. Çfarë bëri? Shkoi dhe u bashkua me Saliun. Shkoi dhe u bashkua me një forcë e cila me Skraparin nuk ka pasur dhe s’ka për të pasur një lidhje të brendshme, shpirtërore, përveçse asaj lidhje që krijohet gjithmonë në vendet pluraliste ku ka një pakicë të vogël që shkon në anën tjetër.

Përballë interesave të mëdha të vendit u realizua një tjetër bashkim dhe dihet si shkoi rezultati. Në atë bashkim ne krijuam një qeveri shumë të fortë, me një mbështetje shumë të fortë në parlament. Në atë qeveri unë kam pasur mundësi të punoj me Nasipin, të cilin më parë nuk e njihja dhe koha e deshi që në atë qeveri ne të ndërmerrnim reformën më të vështirë, reformën e reformave, reformën që më parë askush nuk e kishte guxuar ta imagjinonte dhe jo më ta ndërmerrte dhe të shkonim deri në fund. Nasipi e di shumë mirë sa vështirë ka qenë. Nasipi ka qenë dëshmitar se sa shumë lëvizte toka nën këmbët e asaj mazhorance sa më shumë shkonim drejt përfundimit të paketës së reformës. Dhe kur paketa e reformës mori trajtën e vet thuajse përfundimtare, filloi krisja. I jam shumë mirënjohës Nasipit, i cili në asnjë moment nuk e reflektoi në punën e tij si ministër Drejtësie, krisjen që ndërkohë kishte filluar mes meje dhe Ilir Metës. Në fakt mes Metës dhe Reformës në Drejtësi. U arrit në pikën ku gjërat u ndanë shumë qartë. O Ilir Meta do votonte reformën, o do prishej mazhoranca. Nuk kishte asnjë mundësi për mua dhe për pjesën tonë të mazhorancës, që ne të bënim kompromis në dëm të reformës. Ilir Meta më ka thënë duke parë detin në Lalëz ‘e shikon detin këtu’. ‘Po’, i thashë. ‘Sikur flota e 6 amerikane të vijë këtu, t’i drejtojë tytat nga shtëpia ime, ajo reformë nuk kalon’. I thashë ‘flotat nuk do vijnë dhe ti do shkosh në fund fare ta votosh reformën. Prandaj më mirë bëhu pjesë dhe mos shit dëngla lart e poshtë. Mos u identifiko ti si personi që je problemi, se sa edhe të identifikohesh si personi që je problemi dhe do vish atje ta votosh se s’ke ku shkon. Cila flotë do vijë për ty?’ Në fakt nuk pati nevojë as për flota, as për helikopterë. Se Iliri e ka këtë që, kur i nxehet gjaku imagjinon forca ushtarake që lëvizin rreth e rrotull dhe ngrihen nga varri, aeroplanë që vijnë për të sulmuar. Faktikisht ju e mbani mend, ka qenë një ditë e shënuar në historinë e demokracisë shqiptare dhe pavarësisht se procesi i transformimit të asaj që ne e kemi miratuar me ligj, në një sistem drejtësie që jep drejtësi. Është një proces më i gjatë, nuk diskutohet, por ka qenë një ditë historike dhe në atë ditë ka qenë një pamje e paharrueshme për mua. Unë nuk kam parë në parlamentin e Shqipërisë, as më parë dhe as më pas, deputetë që të ngrenë kartonin jeshil lart dhe kokën ta mbajnë poshtë.

Reforma kaloi erdhi momenti për të zgjedhur presidentin. Shumë kush thotë ‘ça do ti, ti e zgjodhe Presidentin në parlament’. Nuk është e vërtetë. E vërteta është e thjeshtë në atë moment duhet të zgjidhnim Presidentin. Lulin e kishim në çadër, bashkë me dynjallëkun e  tij. Ai thoshte ‘Rama ik se unë s’dal’. Ilirin kishim brenda, asnjë njeri tjetër. Iliri kishte votat. pa votat e tij nuk bëhej presidenti. Ajo që vlen për historinë që po tregoj se ishte kandidati më i mirë për t’i dhënë opozitës presidentin. E kam thënë atë kohë. Nuk mund të gjenim kandidat më të mirë për opozitën se Ilir Metën. Opozita ishte në çadër, presidentin e mori në Sallë. Unë nuk e imagjinoja. Nuk e imagjinoja se do katandisej duke shëtitur Shqipërinë duke mbajtur torba me dekorata në bagazh. Kurrë nuk e kam imagjinuar. Por sidoqoftë ishte e qartë se ishte president për opozitën. Historia dihet më pas si ka rrjedhur. Çështja është çfarë do të bëjë më pas Skrapari për Ilir Metën. Pa Skraparin Ilir Metën nuk do e njihte njeri. Ishte ky vend që e bëri Ilir Metën, Ilir Meta. Por sot është po ky vend që duhet t’i thotë Ilir Metës e ke tepruar. Është koha të shikosh punët e tua se me punët e vendit ti Më nuk duhet të përzihesh. Është i vetmi në historinë e Shqipërisë, 30 vjeç kryeministër. 40 vjeç kryetar Kuvendi, 50 vjeç President i Republikës. Nuk ka Shqipëria të tjera. Këto janë figurat më të larta për një shtet”, tha Rama. /tvklan.al