Këto pamje të shfaqura mbrëmë në emisionin “Opinon” tregojnë momentet e fundit kur është parë në publik Ervis Troqe. Janë të Qershorit të këtij viti. Ai është nder 23 personat e zhdukur në qytetin e Vlorës në dy vitet e fundit.  Dyshohet se një pjese e tyre janë viktima të grupeve të strukturuara kriminale.

Për këtë arsye, po heton edhe prokuroria e Krimeve të Rënda. Ajo ka në dorë dosjen e Leonard Mehmetit, i njohur ndryshe si “Nani” i cili rezulton i zhdukur në vitin 2016.

Hetimi për këtë rast u nis nga prokuroria e Vlorës, por i kaloi Krimeve të Rënda pasi ka dyshime se pas zhdukjes së tij qëndron një grup i strukturuar kriminal dhe motiv dyshohet të jetë konflikti për drogën.

Vetë Prokuroria e Vlorës pati regjistruar 4 procedime me 6 të zhdukur. Mes tyre ishte dosja e biznesmenit Ardian Jahaj dhe punëtorit të tij Ariseld Maze.

Prej 2017 për fatin e tyre nuk dihet asgjë. Hetimi i kësaj dosje pati një ping-pong mes prokurorive. Ajo fillimisht u hetua nga akuza e Vlorës, e cila dyshonte se pas zhdukjes qëndronte një grup kriminal dhe e referoi dosjen tek Krimet e Rënda. Por pas disa muajsh hetim Krimet e Rënda e dërguan përsëri në Vlorë, pasi nuk gjetën asnjë provë. Në fund prokuroria e Vlorës vendosi ta pezullojë hetimin për mungesë provash.

Në hetim prokuroria e Vlorës ka edhe rastet e zhdukjes se Ervis Troqes, të Elvis Pallës dhe Albano Xhaferrit. Ky i fundit sapo ishte kthyer nga Belgjika ku dyshohet se punonte për një grup kriminal atje. Për zhdukjen e Xhaferrit, pak kohë më parë u përfol se kishte të bënte edhe Edison Harizaj, i cili u vra në Durrës në një atentat  mafioz mbrëmjen e 9 Nëntorit sëbashku me shokun e tij Genci Caca.

Nga ana tjetër, Policia e Vlorës ka dyshime se disa prej personave të zhdukur janë të përfshirë në ngjarje kriminale si shitja dhe transporti i lëndëve narkotike.

Tv Klan