Vitin tjetër pritet të përfundojë struktura e godinës së Teatrit të ri Kombëtar. Teksa pa nga afër punimet për godinën, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se Teatri i Ri do të jetë njësoj me teatrot e tjerë të Europës dhe do të mirëpresë artistët dhe publikun siç i ka hije.
“Ne duam ta kthejmë 2025 në një histori suksesi edhe për Teatrin e Ri, i cili të paktën vitin tjetër të mbarojë si ndërtesë. Duam që vitin kur Tirana të jetë Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut të shkëlqejë po njësoj si me titujt e tjerë. Fakti se në Tiranë do të vijnë të gjitha trupat e Mesdheut, na jep një mundësi që, bashkë me Ministrinë e Kulturës, Teatrin Kombëtar dhe Bashkinë e Tiranës, të tregojmë më të mirën tonë.”
Sipas Veliajt, vendi ecën përpara vetëm duke parë nga e ardhmja.
“Sa më shumë afrohemi drejt Bashkimit Europian, të asaj që është vizioni “Shqipëria 2030”, aq më shumë duhet të europianizohet çdo hapësirë. Edhe pjesa e Teatrit të Ri, pavarësisht se gjithmonë do të ketë debate për ndryshime, ndryshimet gjithmonë provokojnë një diskutim publik. Në fund ne duhet të marrim vendime dhe duhet t’i kemi teatrot njësoj siç i ka Bashkimi Europian, me ajër të kondicionuar në verë dhe me ngrohje në dimër. Kjo do të thotë se po ndërtojmë një teatër për 100 vitet e ardhsme, jo për 100 vitet e shkuara. Vetëm duke parë nga e ardhmja, vetëm duke ecur përpara, mund të prodhojmë histori suksesi.
Sipa Veliajt, edhe pse ky projekt është shoqëruar me debate, bashkia u kujdees që puna të mos ndalej, që qyteti të ecë përpara.
Tv Klan