Ashtu si në edicionin e parë, edhe sivjet Teatri Metropol i dedikohet njohjes dhe vënies në skenë të dramaturgjisë shqiptare.

Ky edicion i “MetroFest” sjell pesë vepra shqiptare të nxjerra nga arkivi, si “Rrajtë që lëvizin” e autorit Ernest Koliqi, “E bija e krahinarit” nga Kristo Floqi, “Kryet e hudhrës” nga autori Kristë Berisha, “Makaronat e shejtanit” nga Lazër Lumezi, si dhe “Prangat” nga autori Halil Laze etj. Gjithashtu netët e këtij festivali do të ndërthuren dhe me aktivitete të tjera alternative.

Aktiviteti pritet të startojë ditët e para të Tetorit, por për të treguar më tepër rreth këtij aktiviteti ishin të ftuar në emisionin “Rudina”, në Tv Klan, Jonida Beqo, drejtoreshë e teatrit “Metropol”, Rozi Kostani, regjisore e shfaqjes “Rrajtë lëvizin” dhe Sonila Kapidani, regjisore e shfaqjes “Kryet e hudhrës”.

Beqo tha se ky edicion i “MetroFest” do të sjellë 5 vepra shqiptare nga arkivat të cilat janë të panjohura ose janë trajtuar vetëm si letërsi.

https://youtu.be/FyKzzw1-QaY?t=1m

“Ky është edicioni i dytë i festivalit “MetroFest”, vjet në Nëntor patëm edicionin e parë, i cili ishte sfidë për ne. Fokusi i “MetroFest” është vepra shqiptare e arkivit, drama shqipe, që për një arsye ose për një tjetër, nuk janë vënë në skenë, janë të panjohura ose janë trajtuar vetëm si letërsi.

Ndryshe nga viti i kaluar që kishim 3 vepra, këtë vit jemi bërë më ambiciozë dhe kemi 5 vepra shqiptare, dy prej të cilave me regji të Rozi Kostanit dhe Sonila Kapidanit. Jemi shumë entuziastë për përfshirjen e të gjithë brezave të artistëve dhe për padurimin me të cilin publiku po e pret. Ky festival do të zhvillohet në datat 3-7 Tetor dhe 10-14 Tetor. Kemi vendosur ta bëjmë në dy fundjava, sepse kërkesat ishin të shumta vitin e kaluar”,

tha Beqo.

/tvklan.al