400 artistë janë ngjitur mbrëmjen e së mërkurës në skenën e re të Amfiteatrit në Liqenin Artificial. Në fjalën përshëndetëse, Kryebashkiaku Veliaj dha lajmin e mirë se skena e re e artit do të ofrojë larmi aktivitetesh të përditshme.

“Lajmi i mirë është që pothuaj se çdo natë do të ketë një aktivitet dhe mbi të gjitha ta gëzojmë Amfiteatrin e rilindur të Liqenit të Tiranës”.

Teatri i Hapur i Tiranës i është kthyer dinjitoz parkut të Liqenit Artificial, artistëve, kulturës, publikut dhe brezave.

“Ne për pak ditë mbushim 3 vite që kur skuadra jonë, e gjithë skuadra, duke filluar nga i pari tek i fundit, mori përsipër sfidën që të drejtonim Tiranën. Dhe unë besoj që për mua, nuk e di për ju, por për mua kanë qenë tre vitet më të bukura të jetës sime dhe unë ju falënderoj me gjithë zemër për besimi. Ditët më të mira, ne i kemi përpara! Ne kemi treguar këtu në Tiranë që kur ne bashkëpunojmë, kur i shtrëngojmë dorën njëri–tjetrit, kur kemi pak më shumë besim te njëri – tjetri, ne mund të bëjmë mrekulli, gjëra që më përpara mendoheshin të pamundura”.

Amfiteatri është i pajisur me skenën, podiumin, dhomat e zhveshjes së artistëve, gjithashtu edhe me sallën teknike nga ku projektohet në skenë.

Tv Klan