Për shkak të fluksit të madh dhe kolapsit që është duke përjetuar sistemi shëndetësor në Britani edhe jo vetëm, një pjesë e madhe e teatrove si dhe sallave të koncerteve do të shndërrohen në spitale. Në mbështetje të stafit mjekësor kanë ardhur edhe klube si Uatford, Manchester City dhe Real Madrid. Të 3 klubet kanë vendosur që të lirojnë stadiumet e tyre të paktën deri në fund të prillit, për t’u vënë në shërbim të shëndetësisë. Një qendër konferencash në Londër gjithashtu është kthyer në spital me 4000 shtretër për pacientë me Covid-19.

Ndërkaq autoritetet shëndetësore i kanë bërë thirrje qeverisë për të furnizuar spitalet me aparate, respiratorë për t’u ardhur në ndihmë të infektuarve që po shtohen me rimte të frikshme. Britania numëron aktualisht 1408 viktima dhe më shumë se 22 mijë të prekur.

Zgjerimi i pandemisë në Spanjë po vazhdon ende. Rastet e prekurve nga koronavirusi tejkaluan shifrën e 87 mijë. Një ditë më parë Spanja shënoi ditën e saj më të zezë, ku vetëm në 24 orët e fundit humbën jetën 913 pacientë, duke e çuar totalin në 7716. Sipas asaj që raportojnë mediat spanjolle shumë shpejt Spanja do të barazohet me Italinë për nga numri i viktimave.

Në Francë epidemia po zgjerohet në pjesën jugore të vendit. Totali i të prekurve nga infeksioni i Covid-19 ka shkuar në rreth 45 500 kurse viktimat numërohen në më shumë se 3000. Kryeministri Eduard Philip po shqyrton mundësinë për të shtyrë edhe më tej gjendjen e emergjencës.

Në Gjermania kancelarja Angela Merkel iu nënshtrua një tjetër testi për koronavirusin, por edhe këtë herë ajo ka rezultuar negative. Aktualisht në këtë vend numri i të infektuarve e ka kaluar shifrën e 67 mijë personave, ndërsa viktimat janë vetëm 645.

Një shifër të lartë vdekjesh ka shënuar edhe Belgjika. Konkretisht, numri i viktimave është 513 dhe mbi 12 mijë raste kanë rezultuar pozitiv me COVID-19.

Po ashtu edhe Italia nuk po gjen qetësi. Në 24 orët e fundit humbën jetën sërish 812 pacientë, duke kapur totalin e mbi 11 mijë vdekjeve. E lartë mbetet edhe shifra e të infektuarve që deri më tani ka arritur në mbi 100 mijë. Kryeministri i vendi Guissepe Conte ka nxjerrë një dekret për të shtyrë periudhën e emergjencës deri pas Pashkëve. Sipas ekspertëve, shkaku i kaq shumë vdekjeve në këtë vend lidhet kryesisht me moshën, pasi Italia popullsinë më të vjetër në Europë. Në gjithë botën kanë humbur jetën deri më tani 37 mijë njerëz, ndërsa janë prekur mbi 787 mijë persona që prej fillimit të pandemisë.