Teknologjia e re me ARN e vaksinave anti-Covid



Teknologjia e re me ARN e vaksinave anti-Covid

13:40 17/11/2020

Vaksina e Pfizer kërkon temperatura më të ulëta për transportim

Teksa firmat e para amerikane Pfizer dhe Moderna që kanë gati vaksinën anti-Covid janë në pritje të certifikimit të produkteve të tyre nga Administrata për Barnat dhe Ushqimin në Shtetet e Bashkuara, ekspertët japin shpresa të mëdha se të dyja vaksinat do të jenë në gjendje ta ndalin valën e ashpër të infektimeve me koronavirus.

Nga krahasimet e bëra nga mediat ndërkombëtare, të dy vaksinat përdorin të njëjtën metodologji për ta vënë në alarm sistemin imunitar të njeriut kundër infektimit. Bëhet fjalë për një mënyrë të re dhe të papërdorur më parë të vaksinimit, përmes të cilës në gjak injektohen pjesëza ARN-je që nxisin qelizën të prodhojë të ngjashme me ato që mbulojnë Covid-19. Prodhimi i tyre nxit sistemin imunitar të prodhojë antitrupa të mjaftueshëm, në mënyrë që të jenë gati të pengojnë infektimin nga Covid-19, në momentin që virusi hyn në organizëm.

Kryevirologu amerikan Entoni Fauçi tha se pavarësisht skepticizmit për përdorimin e një teknologjie të re në vaksinë, provat tek njeriu kanë qenë tepër pozitive.

Dallimi mes tyre është se vaksina e prodhuar nga Pfizer duhet transportuar dhe ruajtur në temperatura minus 75 gradë. Kjo kërkon prodhimin në masë të frigoriferëve të posaçëm, teksa duhen shpërndarë qindra miliona doza në gjithë botën, çka rrit koston e transportit. Ndërsa vaksina e Modernës mund të ruhet në minus 20 gradë, temperaturë e përballueshme nga frigoriferët normalë farmaceutike.

Moderna ka kërkuar rreth 21 euro për dozë, çmim më i lartë se i Pfizer që pritet të kërkojë rreth 15 euro.

Tv Klan




Të ngjashme