Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i është drejtuar me një letër partive politike në vend në lidhje me zbatimin e teknologjisë për zgjedhjet e 25 Prillit.

Në letrën e nënshkruar nga kryekomisioneri shtetëror, Ilirjan Celibashi, thuhet se kjo çështje ka marrë vëmendje të posaçme nga KQZ-ja. Prandaj komisioni kërkon nga partitë politike sugjerime në zonat se ku do të aplikohen projektet pilote për votimin dhe numërimin elektronik të zgjedhjeve të ardhshme.

“Në këto kushte, përpara se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të marrë vendimet përkatëse lutemi të na bëni me dije nëse keni sugjerime apo mendimet tuaja në lidhje me zonat se ku mendoni të aplikohen projektet pilote në  këto zgjedhje, në parashikim të dispozitave ligjore më sipër cituar”.

Në Kodin e ndryshuar Zgjedhor, KQZ-ja ka kompetencën të vendosë në përdorim në zgjedhje sistemet ose pajisjet e teknologjisë së informacionit për të mbuluar aspekte dhe procedura të veçanta të procesit zgjedhor.

KQZ-ja është e detyruar që përdorimin e sistemeve ose pajisjeve të teknolgjisë t‘i zbatojë në zgjedhje nëpërmjet projekteve pilot në jo më pak se 10 për qind të numrit të zgjedhësve për çdo fazë të implementimit.

Letra i është drejtuar PS-së, PD-së, LSI-së, PR-së, BD-së, PDK, PDIU-së dhe PSD-së./tvklan.al