Përhapja në masë e smartfonëve dhe laptopëve, po ashtu edhe ashtu edhe mundësitë për të hyrë në internet kudo ndodhemi, po na shtojnë orët e punës pa e vënë re.

Një studim i Universitetit “West England” të Bristolit arrin në përfundimin se edhe dërgimet e email-eve për çështje pune jashtë orarit zyrtar, duhet të llogariten si orë pune. Detajet e studimit u publikuan nga media britanike BBC, ku konstatohet se mbi 54% e londinezëve që udhëtojnë me metro nga shtëpia në punë dhe anasjelltas, e shfrytëzonin internetin Wi-Fi që ofrohet falas nga shërbimi i transportit publik për çështje që kishin të bënin me punën.

Për studimin u analizuan të dhënat e përdorimit të internetit të mbi 5 mijë pasagjerëve në metronë e Londrës. Rezultatet treguan se ata i kushtonin kohë përgatitjes së materialeve të punës, duke marrë nga koha e aktiviteteve të tjera të jetës së përditshme, si psh. kujdesi për fëmijët apo aktivitetet e kohës së lirë.

Studiuesit kërkojnë të bëhen studime të thelluara për efektin negativ në shëndet që mund të ketë angazhimi në çështjet e punës edhe jashtë orarit zyrtar, si dhe të shtrohet për diskutim pyetja pse ky lloj angazhimi nuk përfshihet në orët e punës?

Tv Klan