Sovraniteti i Ukrainës dhe Navalni, çështjet kryesore të diskutimeve

Politika e heshtjes përballë mosmarrëveshjeve me Moskën, në Uashington ka marrë fund me largimin e Donald Trump-in. Në bisedën e parë telefonike që zhvilloi me homologun rus Vladimir Putin pas marrjes së presidencës, Joe Biden riktheu diskutimet për shumë çështje për të cilat nuk kanë qenë asnjëherë kryefjalë në bisedimet mes Uashingtonit dhe Moskës.

Shqetësimi për arrestimin e figurave kryesore të opozitës në protestat për ndalimin e Navalnyt apo mbështetja e fortë për sovranitetin e Ukrainës ishin disa nga çështjet të cilat Biden i theksoi gjatë kësaj bisede, të cilat pararendësi i tij i kishte lënë në hije.

Shtëpia e Bardhë tha se presidenti ia kishte bërë të qartë homologut rus se Shtetet e Bashkuara do të veprojnë me vendosmëri nëse Rusia dëmton interesat e vendit apo aleatëve. Të dy liderët shprehën angazhimin për rinovimin e traktatit për armët bërthamore që synon reduktimin e arsenalit.

Mes çështjeve të prekura ishte edhe ndërhyrja e pretenduar e Rusisë në zgjedhjet amerikane, një tjetër shenjë distancimi e Biden-it nga retorika e ngrohtë e shfaqur ndaj Putin-it nga ish-presidenti Trump.

Sakaq, senati konfirmoi në detyrë sekretarin e ri të shtetit Antony Blinken, mes të tjerash edhe mbështetës dhe kontribuues i Pavarësisë së Kosovës.

Tv Klan