“Tërhiq forcat policore nga komunat e veriut”

Shtëpia e Bardhë zbardhi një telefonatë mes zëvendëskëshilltarit kryesor për siguri kombëtare, Jon Finer dhe kryeministrit të Kosovës Albin Kurti. Zoti Fin, thuhet në njoftimin zyrtar, i ka shprehur shqetësimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për situatën në veri të Kosovës, dhe i ka bërë dy kërkesë specifike.

“Ai (Jon Finer) ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që t’u mundësojë kryetarëve të sapozgjedhur të komunave që t’i kryejnë detyrat e tyre nga lokacionet alternative dhe të tërheqë forcat policore nga ndërtesat komunale.”

Shtëpia e Bardhë bëri të ditur se kryeministri i Kosovës është dakord me kërkesën për të ripërsëritur zgjedhjet në 4 komunat e Kosovës.

“Ai (Jon Finer) gjithashtu përshëndeti gatishmërinë e kryeministrit Kurti për të punuar për kushtet e zgjedhjeve të reja.”

Kërkesa për zgjedhjet e reja iu bë presidentes Vjosa Osmani nga kancelari gjerman, Sholtz dhe presidenti francez Makron në një takim me presidentin serb Vuçiç gjatë samitit të Moldavisë, një takim ky që tregoi shmangien që BE i bëri Albin Kurtit pasi ai refuzoi kërkesat e vazhdueshme për të qetësuar situatën në veri.

Shtëpia e Bardhë tha gjithashtu se zoti Finer dhe u bëri thirrje të gjitha palëve që të ndërmarrin hapa që synojnë de-përshkallëzimin e situatës. Z. Finer ka përsëritur se Shtetet e Bashkuara presin që të dyja palët të riangazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE dhe të zbatojnë plotësisht marrëveshjen e normalizimit të arritur në Bruksel dhe Ohër në fillim të këtij viti.

Tv Klan