Gjyshi rrëfen aksidentin fatal të nipit 6-vjeçar

Emisioni “Historia ime” ka sjellë ditën e sotme historinë e dhimbshme të një familjeje. Kadri Malka ka humbur nipin e tij 6-vjeçar. Ngjarja ka ndodhur në 25 Tetor 2017 në aksin rrugor Sharr-Kombinat rreth orës 17:00, ku nipi i Kadriut ka ndërruar jetë si pasojë e një aksidenti, një goditje fatale që i mori jetën. Gjyshi i të ndjerit, i cili ka punuar 17 vite në Policinë e Shtetit në sektorë të ndryshëm, pretendon se po bëhet një padrejtësi me rastin në fjalë, sepse personi përgjegjës është akoma i lirë.

Kadri Malka: Unë kam një çun, ai ka 3 fëmijë, ky ishte fëmija i dytë që ndërroi jetë në aksident rrugor. Tani janë dy, nipi dhe mbesa tjetër.

Mirela Milori: Çfarë ndodhi në vitin 2017?

Kadri Malka: Unë banoj në Korçë. Në datën 25 Tetor duke parë televizionin, më merr çuni në telefon dhe duke qarë, se ai banon këtu më thotë: Babi ç’e dua jetën, Ergin e shtypi makina… Çfarë flet? Të nesërmen në mëngjes që shpejt herët, në datën 26 Tetor të 2017 udhëtoj me bashkëshorten nga Korça për në Tiranë. Vij direkt tek spitali “Nënë Tereza”, takoj çunin bashkë me nusen. I them si ishte puna? Të dy fëmijët i kishte marrë një person 17 vjeç me banim në fshatrat e Korçës, kishte ardhur për miqësi këtu, që as unë nuk e njoh fare, vetëm si emër e di, për t’i nxjerrë dy fëmijët për të kaluar rrugën nga njëri krah, në krahun tjetër.

Mirela Milori: Në zonën e Kombinatit në Tiranë?

Kadri Malka: Po në Kombinat. Tani në datën 26, me telefonin që kam të policisë akoma edhe sot, se kam shërbyer për 17 vjet në strukturat e Policisë së Shtetit. Rreth orës 9 e 30-10:00 paradite, i bie sallës dhe i them: Përshëndetje, jam një ish-punonjës policie, nipi im është aksidentuar dje, ti bëjmë veprimet mjeko-ligjore që ta çojmë në banesë. I bënë ato veprimet, e morrën nipin e çuan në banesë. E mbajtëm në datën 26, në 27 e varrosëm. Tani filloi të hapej dita, të shikoj vendin ku ndodhi aksidenti dhe të shikoj rrugën që kishin përshkruar fëmijët bashkë me kushëririn.

Mirela Milori: Pra kalim rruge nga njëra anë në anën tjetër?

Kadri Malka: Atë dua të shpjegoj… Thotë mjeti ka lëvizur në atë segment, rrugë dytësore me dy korsi, që faktikisht nuk është me dy, ka tre korsi në njërin krah, që vjen nga Kombinati në drejtim të Tiranës, edhe dy nga Tirana për në Kombinat. Fëmija thotë është nisur në mes të fluksit të mjeteve, që është e pamundur me tre korsi në një krah dhe dy në krahun tjetër.

Mirela Milori: Ti e kishe më të dashur këtë nip? Se ndonjëherë gjyshërit kanë lidhje të veçantë me dikë nga nipërit dhe mbesat.

Kadri Malka: Ne i themi prit gishtat e dorës të gjithë dhembin, por ky ishte i veçantë. Këtë e deshi Zoti që e mori… Kam dhe dy të tjerë. Kur nisem për në Tiranë thashë, ku do shkoj, do shkoj në varrezat apo do shkoj të takoj ata dy të tjerët, nuk di çfarë të them. /tvklan.al