Shtimi i pranisë ushtarake ruse panë kufirit me Ukrainën vjen në përgjigje të kërcënimeve nga NATO-ja, deklaroi ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, ndërsa vizitoi bazën detare Gadzhiyevo. Ai shtoi se dislokimi i trupave dhe armatimeve në Rusinë Perëndimore është pjesë e manovrave të gatishmërisë që do të vazhdojë për dy javë.

Gjatë tre javëve të fundit, ushtria ruse ka dislokuar dy batalione dhe tri formacione ushtarake, një lëvizje që ka frikësuar Perëndimin dhe Ukrainën.

Dislokimi ushtarak ka sjellë edhe deklarata të ashpra nga sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, që e përshkroi lëvizjen si “të pajustifikuar dhe shumë shqetësuese. Ministri Shoigu tha se manovrat ruse u provokuan nga përpjekjet e ShBA-së dhe të aleatëve të NATO-s për të përforcuar ushtritë në kufijtë e Rusisë.

Të martën, Shtëpia e Bardhë njoftoi se presidenti Joe Biden ishte shprehur i shqetësuar rreth manovrave të Rusisë dhe bëri thirrje “për uljen e tensioneve gjatë një telefonate me homologun rusVladimir Putin. Gjatë kësaj bisede u propozua edhe një takim Biden-Putin.

Tensionet në lindje të Ukrainës dërguan në Bruksel sekretarin e Shtetit Antony Blinken dhe atë të Mbrojtjes Lloyd Astin. Në një takim të posaçëm të Blinken dhe shefit të NATO-s Jens Stoltenberg me ministrin e Jashtëm të Ukrainës u shpreh mbështetja e plotë.

Në sfondin e rritjes së tensioneve ShBA-ja ka njoftuar Turqinë se dy luftanije amerikane do të nisen më 15 Prill drejt Detit të Zi dhe do të qëndrojnë aty deri më 5 Maj, një lëvizje që Moska e quajti shumë provokuese.

Klan News